| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova i kërkon Shqipërisë mbështetje për anëtarësim në NATO
“I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO”, tha ministri i jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, në takim me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha
Kosova i kërkon Shqipërisë mbështetje për anëtarësim në NATO
Kosova i kërkon Shqipërisë mbështetje për anëtarësim në NATO

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. 

Pas takimit të dy homologëve, Konjufca tha se për Kosovën anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) do të ishte një inspirim dhe shans i madh përfitues në aspiratën kosovare euro-integruese.

Konjufca tha se me homologun shqiptar diskutuan për një varg çështjes në interes të të dy vendeve.

“Në këto kohë të paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes dy shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktor i stabilitetit në rajon. Krahas orientimit eurointegrues i shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë, konkludojnë të gjithë që ka qenë faktor i stabilitetit. Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO”, tha Konjufca.

Konjufca tutje tha se për Kosovën mbështetja e Shqipërisë në integrimin evropian është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme, si dhe theksoi se “kjo po ndodh vazhdimisht”.

Hoxha, nga ana e tij, tha se çdo dhimbje e Kosovës ndihet edhe në Shqipëri, ashtu sikurse çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri.

Ministri shqiptar tha se pavarësia e Kosovës është përkthyer në një sukses për qytetarët e saj, pasi Kosova sot ka një shoqëri të hapur dhe barabartë ku të drejtat e tyre mbrohen me standardet më të larta Evropiane.

“I ftoj të gjithë, miqtë dhe mbështetësit e Kosovës, por edhe skeptikët, brenda dhe jashtë rajonit, të kuptojnë se integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë komunitetet pakicë. Për këtë arsye anëtarësimi tashmë i vonuar i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë një zhvillim pozitiv për të gjithë qytetarët e vendit”, tha Hoxha.

Hoxha tha se me homologun kosovar kanë rënë dakord për koordinim dhe takime ministrore midis dy vendeve.

Ministri Hoxha u prit më herët edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë