| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trumpi: Lufta me Iranin është “afër përfundimit”
“Nuk kemi mbaruar ende… mendoj se ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”, thotë presidenti amerikan në një intervistë për "Fox Business".
Trumpi: Lufta me Iranin është “afër përfundimit”
Trumpi: Lufta me Iranin është “afër përfundimit” / Reuters
12 orë më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se lufta ShBA-Izrael kundër Iranit është “afër përfundimit”.

“Mendoj se është afër përfundimit, po. E shoh si shumë afër përfundimit”, tha Trumpi në një intervistë për kanalin “Fox Business”, kur u pyet nëse lufta ka përfunduar.

Një pjesë e intervistës u publikua në rrjetin social “X”.

“E dini çfarë? Nëse do të tërhiqesha tani, do t’u duheshin 20 vite për të rindërtuar atë vend dhe ne nuk kemi mbaruar ende. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”, shtoi ai.

Moderatorja Maria Bartiromo tha më herët se gjatë intervistës Trumpi i referohej shpesh luftës në kohën e shkuar, gjë që e shtyu ta pyesë drejtpërdrejt: “A ka përfunduar?”

“Ai tha: Ka përfunduar”, tregoi Bartiromo, duke përshkruar bisedën.

Bisedime u zhvilluan gjatë fundjavës në Islamabad të Pakistanit për t’i dhënë fund përfundimisht luftës që nisi më 28 shkurt, por nuk u arrit një marrëveshje. Po bëhen përpjekje për një raund tjetër negociatash.

Trumpi u shpreh me tone optimiste për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta ShBA–Iran, duke thënë të martën se ato mund të rifillojnë në Pakistan brenda dy ditëve të ardhshme.

Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor më 8 prill, i cili vazhdon të jetë në fuqi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë