Erdoğan: Lufta kundër grupit terrorist DAESh po bëhet gjithnjë e më e fortë
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se eliminimi i kërcënimit terrorist separatist në Sirinë veriore do të sjellë lehtësim për gjithë rajonin.
Lufta kundër grupit terrorist DEASh po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe më e vendosur, ndërsa rrënjët e të gjitha formave të terrorizmit në rajon po çrrënjosen, deklaroi të shtunën presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
“Pasi të eliminohet plotësisht kërcënimi i terrorizmit separatist në Sirinë veriore, jo vetëm populli sirian, por i gjithë rajoni do të marrë frymë më lehtë”, tha Erdoğan gjatë një ceremonie dorëzimi çelësash për banesa të reja të ndërtuara në provincën Aydin të Türkiyes.
Ai theksoi se një Siri e bashkuar, e sigurt dhe stabile do t’u shërbejë të gjitha komuniteteve të saj.
“Fituesit e një Sirie të bashkuar, të tërë dhe të sigurt do të jenë arabët, turkmenët, kurdët, alevitët, druzët, të krishterët dhe të gjithë qytetarët e tjerë sirianë”, shtoi ai.
Duke folur për politikën globale, Erdoğan tha se debatet në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur këtë javë në Davos tregojnë se kritikat e hershme të Türkiyes ndaj sistemit global po gjejnë gjithnjë e më shumë jehonë në botën perëndimore.