Moska do të reagojë ndaj Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë nëse ato nuk marrin parasysh paralajmërimet lidhur me vendimin e tyre për të hapur hapësirën ajrore për dronët ukrainas, tha të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass, Zakharova tha se shtetet baltike kanë marrë një “paralajmërim përkatës”.
“Nëse ata, regjimet e këtyre vendeve, janë mjaftueshëm të arsyeshëm, do të dëgjojnë. Nëse jo, atëherë do të përballen me një përgjigje”, tha ajo.
Më herët në mars, Ministria e Mbrojtjes e Letonisë tha se Rusia po “zhvillon një operacion informativ të koordinuar në shkallë të gjerë kundër Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, duke pretenduar se shtetet baltike po lejojnë që territoret e tyre të përdoren për sulme ukrainase kundër Rusisë”.
Ministria shtoi se “Letonia, si dhe Lituania dhe Estonia, nuk janë të përfshira në planifikimin apo zbatimin e kundërsulmeve të Ukrainës ndaj Rusisë”.
Sipas ministrisë, “qëllimi i operacioneve informative të Rusisë kundër shteteve baltike është të diskreditojë NATO-n, ta përçajë shoqërinë, ta ulë besimin në institucionet shtetërore dhe ta dobësojë mbështetjen për Ukrainën.” Këto përpjekje përfshijnë “dezinformim dhe përdorimin e bot-eve në rrjetet sociale, duke i synuar audiencat rusishtfolëse dhe duke i shfrytëzuar të rinjtë”, shtoi ajo.
















