Shtetet e Bashkuara u kanë njoftuar aleatëve evropianë se planifikojnë të reduktojnë ndjeshëm kontributet e tyre ushtarake në NATO dhe u kanë kërkuar atyre të veprojnë shpejt për të mbuluar boshllëkun që do të krijohet, raportoi të martën revista gjermane Der Spiegel.
Sipas revistës, një zyrtar i lartë i Pentagonit i informoi aleatët evropianë për planet e administratës së presidentit Donald Trump gjatë një takimi konfidencial në selinë e NATO-s në Bruksel javën e kaluar. Zyrtarët evropianë, thuhet në raport, mbetën të befasuar nga përmasat e reduktimeve të planifikuara.
Der Spiegel shkruan se Alexander Velez-Green, i dërguar i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha aleatëve se ShBA-ja synon të angazhojë shumë më pak mjete ushtarake në forcën e gatishmërisë së NATO-s, duke ulur numrin e dronëve, avionëve luftarakë, avionëve për furnizim me karburant në ajër, si dhe anijeve luftarake dhe mjeteve të tjera detare.
Sipas raportit, Uashingtoni do të reduktojë gjithashtu numrin e bombarduesve strategjikë të vënë në dispozicion të NATO-s dhe po shqyrton një ulje prej rreth një të tretës të kontributit të tij me avionë luftarakë.
Burime diplomatike dhe ushtarake, që folën në kushte anonimiteti, thanë se SHBA-ja do të vërë në dispozicion më pak destrojerë dhe nuk planifikon të kontribuojë me nëndetëse në kuadër të “Modelit të Forcës së NATO-s”, mekanizëm që përcakton forcat kombëtare të caktuara për aleancën.
Sipas burimeve ushtarake, Uashingtoni u ka bërë të ditur aleatëve evropianë se do të vazhdojë të ruajë forcat e parandalimit bërthamor në Evropë, por pret që vendet evropiane të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale.
Burimet shtuan se reduktimet e planifikuara synojnë t’i japin ShBA-së më shumë fleksibilitet në rast të një konflikti në rajonin Indo-Paqësor, duke shmangur angazhimet formale për dislokimin e kapaciteteve të caktuara ushtarake në NATO.
















