Erdoğan: Irani të heqë dorë nga veprimet që mund të dëmtojnë lidhjet shekullore
Pavarësisht "paralajmërimeve tona të sinqerta, vazhdojnë të merren hapa jashtëzakonisht të gabuara dhe provokuese që do të rëndojnë miqësinë e Türkiyes", thotë presidenti turk.
Asnjë hap nuk duhet ndërmarrë që do të "hedhë hije mbi lidhjet tona mijëvjeçare fqinjësore dhe vëllazërore me Iranin apo do të lëndojë kombin tonë", tha presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu referuar interceptimit të një rakete nga Irani drejt Türkiyes më herët gjatë ditës.
Pavarësisht "paralajmërimeve tona të sinqerta, vazhdojnë të merren hapa jashtëzakonisht të gabuara dhe provokuese që do të rëndojnë miqësinë e Türkiyes", tha Erdoğan në një fjalim drejtuar kombit pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Türkiye ka zhvilluar një diplomaci intensive që nga shpërthimi i luftës së Iranit më 28 shkurt, shtoi ai.
"Ne kemi zhvilluar bisedime me 16 udhëheqës për të gjetur një mënyrë për tejkalimin e krizës", tha Erdoğan.
Ankaraja qëndron në anën e drejtësisë, drejtës ndërkombëtare, paqes dhe stabilitetit në Iran dhe mbështet zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut, shtoi ai.
Që nga fillimi i konfliktit, të gjitha njësitë turke kanë qenë në gatishmëri, tha Erdoğan, duke shtuar: "Ne kemi mobilizuar të gjitha institucionet e shtetit tonë".
Në tre pikat kufitare të Türkiyes me Iranin nuk ka asnjë problem apo bllokim, tha ai, duke theksuar se Ankaraja monitoron hapësirën ajrore të saj 24/7 për kërcënime të mundshme me avionët F-16, avionët për paralajmërim të hershëm dhe avionët cisternë.
Türkiye do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet në koordinim me NATO-n dhe aleatët e tjerë dhe do të marrë masa shtesë për ta forcuar sigurinë e saj, tha Erdoğan.
Për qëllimin e Türkiyes për të qenë pa terror, ai paralajmëroi se askush nuk duhet të gabojë në llogaritje ose të bjerë në kurthin e rrjetit të masakrave sioniste që përpiqet të kthejë vëllain kundër vëllait.
Rezervat e Bankës Qendrore të Türkiyes qëndrojnë rreth 200 miliardë dollarë dhe sistemi financiar i vendit ka aftësinë për të përballuar çdo rrezik falë strukturës së saj të fortë kapitalore dhe likuiditetit të madh, tha ai.