| Albanian
TÜRKİYE
6 minuta leximi
Hakan Fidanit vlerësohet me doktoraturë nderi nga instituti i diplomacisë në Moskë
“Stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të bazohet në një kornizë që lë jashtë ekuacionit një nga aktorët kryesorë të kontinentit”, tha kryediplomati turk gjatë ceremonisë.
Hakan Fidanit vlerësohet me doktoraturë nderi nga instituti i diplomacisë në Moskë
Hakan Fidanit vlerësohet me doktoraturë nderi nga instituti i diplomacisë në Moskë / AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, u nderua të mërkurën me titullin “Doktor Nderi” nga Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, i njohur si MGIMO, gjatë vizitës së tij në Rusi.

Për Fidanin u mbajt një ceremoni në MGIMO, një nga universitetet më prestigjioze të Rusisë dhe një institucion kryesor në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Titulli “Doktor Nderi” iu dorëzua nga rektori i MGIMO-s, Anatoly Torkunov.

Në fjalën e tij, Fidani falënderoi rektorin Torkunov dhe Këshillin Akademik të institutit për këtë vlerësim.

Ai tha se e konsideronte këtë nder jo vetëm si një vlerësim personal, por edhe si shenjë respekti për marrëdhëniet e gjata mes Türkiyes dhe Rusisë, si dhe për mirëkuptimin e ndërsjellë që lidh dy popujt.

Fidani theksoi se MGIMO-ja ka përgatitur diplomatë, akademikë dhe shtetarë për më shumë se 80 vjet, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm rus Sergej Llavrov.

Ai gjithashtu kujtoi ambasadorin e ndjerë rus Andrey Karllov, po ashtu i diplomuar në MGIMO-s, duke thënë se trashëgimia e Karlovit vazhdon të mbetet dëshmi e fuqisë bashkuese të diplomacisë.

Fidani tha se marrëdhëniet Türkiye-Rusi janë formësuar nga historia, janë vënë në provë nga krizat dhe janë mbajtur gjallë përmes bashkëpunimit dhe dialogut të nivelit të lartë.

Ai e cilësoi këtë partneritet gjithnjë e më të rëndësishëm në një kohë pasigurie dhe transformimi global.

Sipas Fidanit, bota po lëviz drejt një rendi shumëpolar, por ky tranzicion është i mbushur me rreziqe.

Ai paralajmëroi se, ndërsa paradigma e vjetër globale po humbet ndikimin dhe një e re ende nuk është formësuar plotësisht, hapësira për llogaritje të gabuara strategjike është bërë rrezikshëm e ngushtë.

Duke iu referuar tensioneve të fundit rajonale, përfshirë krizën ShBA-Izrael-Iran, Fidan tha se situata ka ushtruar presion mbi vendet e rajonit.

Ministri e mirëpriti marrëveshjen mes ShBA-së dhe Iranit si një lehtësim dhe tha se Türkiye, së bashku me partnerët rajonalë, ka punuar aktivisht për të ndihmuar në arritjen e këtij rezultati.

“Ky rajon nuk duhet të ekspozohet më kurrë ndaj një tensioni të tillë”, tha Fidani, duke theksuar se diplomacia mbetet mjeti i vetëm efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale.

Ai shtoi se mirëkuptimi i fundit duhet të shndërrohet në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Fidani tha se siguria e qëndrueshme nuk mund të importohet apo të imponohet nga aktorë jashtë rajonit.

Stabiliteti i vërtetë, sipas tij, mund të ndërtohet vetëm mbi pronësinë rajonale dhe pajtimin. Në këtë kontekst, ai e cilësoi bashkëpunimin Türkiye-Rusi si të domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ministri theksoi gjithashtu thellësinë e marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Rusisë, duke thënë se dy vendet janë fqinjë të afërt dhe dy fuqi aktive e me ndikim.

Ai pranoi se qëndrimet e tyre mund të ndryshojnë herë pas here, por tha se ajo që e bën të veçantë këtë marrëdhënie është mënyra se si të dyja palët i menaxhojnë këto dallime.

Sipas Fidanit, marrëdhëniet Türkiye-Rusi kanë kaluar prova serioze gjatë viteve të fundit dhe kanë dalë më të forta.

Ai tha se kjo pjekuri “nuk është ndërtuar brenda natës, por përmes diplomacisë së vazhdueshme, respektit të ndërsjellë dhe besimit mes udhëheqësve të dy vendeve”.

Fidani gjithashtu theksoi se tregtia dhe bashkëpunimi energjetik janë shtylla kryesore e marrëdhënieve dypalëshe.

Kreu i diplomacisë turke tha se ndërvarësia ekonomike mes dy vendeve ka arritur një nivel shumë të avancuar, duke ndihmuar në mbështetjen e prosperitetit dhe qëndrueshmërisë së ndërsjellë.

Fidani vuri në dukje se vëllimi tregtar dypalësh tashmë i kalon 50 miliardë dollarë.

Bashkëpunimi energjetik, shtoi ai, vazhdon të thellohet, ndërsa Centrali Bërthamor Akkuyu mbetet një nga shembujt më të qartë të partneritetit strategjik mes Ankarasë dhe Moskës.

Fidani nënvizoi edhe marrëdhëniet mes njerëzve, duke thënë se gati 7 milionë qytetarë rusë vizituan Türkiyen vitin e kaluar, ndërsa qindra mijëra rusë jetojnë, punojnë ose studiojnë në qytete të ndryshme turke.

Duke folur për rajonin më të gjerë, Fidani tha se Türkiye dhe Rusia ndodhen në qendër strategjike të disa prej zonave më të rëndësishme të botës, nga Deti i Zi dhe Kaukazi deri në Lindjen e Mesme dhe Euroazinë më të gjerë.

Ai tha se Rusia mbetet një nga aktorët kyç në ruajtjen e ekuilibrave rajonalë dhe globalë.

Për Türkiyen dhe Rusinë, sipas tij, stabiliteti në rajonet fqinje është thelbësor për sigurinë kombëtare dhe prosperitetin ekonomik.

Ministri argumentoi se ky stabilitet mund të ruhet vetëm përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm strategjik mes Ankarasë dhe Moskës.

Fidani bëri thirrje për më shumë pronësi dhe bashkëpunim rajonal, duke përmendur Platformën Rajonale të Bashkëpunimit 3+3 në Kaukazin e Jugut si shembull të kësaj qasjeje.

Kryeiplomati tha se detyra më e vështirë është që e njëjta frymë të bartet edhe në rajone të tjera, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Ministri tha se Lindja e Mesme për një kohë të gjatë është trajtuar si skenë për ambiciet e fuqive të jashtme, por Türkiye dhe vendet e tjera të rajonit janë të vendosura të dalin përtej këtij modeli.

Sipas tij, një rend rajonal pas luftës duhet të ndërtohet nga vetë rajoni.

Në të gjitha këto përpjekje rajonale, tha Fidan, Rusia mbetet një bashkëbiseduese e domosdoshme për Türkiyen.

Ai tha se kjo vlen për Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe të ardhmen e sigurisë evropiane.

Duke folur për sigurinë evropiane, Fidani tha se një nga pyetjet qendrore të kësaj epoke është se si të ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme bashkëpunimi me Rusinë.

Pozicioni i Türkiyes, sipas tij, ka qenë gjithmonë i qartë: çdo arkitekturë evropiane e sigurisë që nuk trajton vendin e Rusisë në këtë strukturë do të mbetet e paplotë.

“Stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të bazohet në një kornizë që lë jashtë ekuacionit një nga aktorët kryesorë të kontinentit”, tha Fidani.

Ai nënvizoi gjithashtu se Türkiye ka mbetur i vetmi aktor rajonal që ka ruajtur kontakte domethënëse si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën gjatë gjithë luftës.

Fidani tha se disa nga ata që dikur kritikuan Türkiye-n për pritjen e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe Kievit, tani po diskutojnë vetë nevojën për të rihapur kanalet e komunikimit me Rusinë.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë të besojë në fuqinë e diplomacisë dhe është e gatshme të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Fidani përfundoi duke thënë se partneriteti strategjik Türkiye-Rusi tashmë është zgjeruar përtej kufijve kontinentalë, duke shtuar se sot ka shumë pak fusha në agjendën ndërkombëtare ku interesat dhe shqetësimet strategjike të dy vendeve nuk ndërthuren.

Sipas tij, marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Rusisë kanë arritur të kapërcejnë prova të vështira në historinë e afërt dhe janë forcuar çdo herë.

Ai shtoi se të dyja palët janë të vendosura ta çojnë më tej këtë qëndrueshmëri dhe vizion strategjik.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë