Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Bruksel ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm për zgjerimin dhe fqinjësinë lindore në Komisionin Evropian (KE), Gert Jan Koopmani.
Siç bëri të ditur Mickoski në rrjetet sociale, në fokus të bisedimeve ishin perspektiva evropiane e vendit, përparimi në proceset reformuese dhe hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
"Përcaktimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është i qartë dhe i padiskutueshëm. Maqedonia meriton një të ardhme evropiane, të bazuar në marrëdhënie parimore, respektimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, si dhe zbatimin e vazhdueshëm të reformave në interes të qytetarëve", deklaroi ai.
Ai theksoi se vendi vazhdon të punojë për zbatimin e agjendës së reformave, ndjekjen e një politike të përgjegjshme dhe realizimin e vizionit për një Maqedoni të Veriut evropiane, stabile dhe prosperuese.
Mickoski ndodhet në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Forumin e Zgjerimit të BE-së.























