| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Belgjika do të dërgojë trupa në Grenlandë si pjesë e misionit të NATO-s
Misioni synon të forcojë praninë e NATO-s në rajonin e Arktikut, përfshirë rreth Grenlandës, Islandës dhe Oqeanit Arktik, mes asaj që aleanca e përshkruan si interes strategjik në rritje nga Rusia dhe Kina.
Belgjika do të dërgojë trupa në Grenlandë si pjesë e misionit të NATO-s
Belgjika do të dërgojë trupa në Grenlandë si pjesë e misionit të NATO-s

Belgjika do të vendosë personel ushtarak prej rreth 30 personash në territorin vetëqeverisës të Danimarkës në Grenlandë në fillim të shtatorit, si pjesë e misionit të sapokrijuar të NATO-s “Arktik Sentry”, konfirmoi sot ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, për transmetuesin belg VTM.

Dislokimi do të përfshijë trupa nga Brigada e Parë me bazë në Leopoldsburg, si dhe anëtarë të Forcave Speciale belge. Misioni synon të forcojë praninë e NATO-s në rajonin e Arktikut, përfshirë rreth Grenlandës, Islandës dhe Oqeanit Arktik, mes asaj që aleanca e përshkruan si interes strategjik në rritje nga Rusia dhe Kina.

Forcat belge do të kryejnë aktivitete parandaluese dhe stërvitore, përfshirë operimin e dronëve dhe testimin e sistemeve kundër dronëve. Territori i gjerë i Grenlandës ofron kushte të përshtatshme për kryerjen e ushtrimeve të tilla, sipas autoriteteve belge.

Belgjika do të udhëheqë operacionin së bashku me Kanadanë, Danimarkën, Francën, Finlandën, Holandën, Slloveninë dhe Suedinë. Sipas VTM-së, aleanca synon t’i dërgojë një “mesazh të qartë” presidentit të ShBA-së, Donald Trump, duke pohuar se është “e aftë të sigurojë mbrojtjen e Arktikut dhe vetë ishullit strategjik”.

Vendimi vjen pas tensioneve mbi Grenlandën, pasi Trumpi përsëriti kohët e fundit dëshirën e tij për të blerë ishullin, duke e quajtur kontrollin e SHBA-së mbi Grenlandën domosdoshmëri historike dhe strategjike.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen hodhi poshtë komentet e Trumpit, duke përsëritur se “Grenlanda nuk është në shitje” dhe se vetëm njerëzit e Grenlandës mund të përcaktojnë të ardhmen e ishullit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë