Presidenti sirian Sharaa: “Shumica” e Kongresit amerikan mbështet heqjen e sanksioneve
Administrata Trump pajtohet se Siria “meriton një mundësi” për stabilitet dhe integritet territorial, tha Ahmad Al-Sharaa për Washington Post.
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha se “shumica” e Kongresit të ShBA-së mbështet heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë, pasi ai u takua të hënën me ligjvënës në Uashington.
“Administrata amerikane është në një mendje që Siria meriton të ketë një mundësi për të qenë e qëndrueshme, për ta ndërtuar ekonominë e saj dhe për të ruajtur integritetin e saj territorial”, tha Sharaa për gazetën The Washington Post pas takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë të hënën me Presidentin Donald Trump.
Sharaa tha se politikat e Trumpit tregojnë mbështetje për stabilitetin dhe unitetin territorial të Sirisë.
“Është e qartë ... se ai është në favor të stabilitetit të Sirisë dhe unitetit territorial, si dhe të heqjes, heqjes së plotë, të sanksioneve ndaj Sirisë. Pra, ai po shtyn në atë drejtim”, tha ai.
Këto komente u bënë pasi ShBA-ja pezulloi përkohësisht për 180 ditë zbatimin e sanksioneve të Aktit Caesar ndaj Sirisë, duke sinjalizuar një lehtësim të vazhdueshëm të tyre. Sanksionet ishin pezulluar fillimisht në maj për 180 ditë.
Sharaa vizitoi Uashingtonin ndërsa qeveria e tij kërkon heqjen përfundimtare të sanksioneve amerikane të vendosura gjatë regjimit të Bashar al-Assadit, i cili u rrëzua dhjetorin e kaluar pas 25 vitesh në pushtet.
Miratimi i Kongresit është i nevojshëm për heqjen e plotë të sanksioneve.