Dëshmitari i palës mbrojtëse të Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, James Rubin, i cili ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit në kohën e luftës në Kosovë, ka vazhduar dëshminë në ditën e dytë, ku ndër tjerash tha se nuk e sheh si të drejtë faktin që Thaçi është në bankën e të akuzuarve.
Rubin gjatë dëshmisë së tij u pyet nga prokurori James Pace për qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale, derisa ai tha ndër të tjera se nuk e sheh si të drejtë që Thaçi është në bankën e të akuzuarve dhe e sheh si të gjatë periudhën e paraburgimit të ish-presidentit kosovar.
"Fakti që të akuzuarit janë në burg për më shumë se pesë vjet dhe janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë, më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës dhe më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të ndiqet penalisht, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg për pesë vite", ka thënë ai.
Rubin tha se nuk e sheh si të drejtë gjykimin, derisa shtoi se ky nuk ishte vizioni që e kishte ndjekur ish-shefja e tij, Madeline Albright, kur ndihmoi në themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi.
"Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe nëpër bjeshkë, mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së s'e ka pasur këtë mundësi, duke e pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së: unë për tri ditë me radhë e kam parë se si janë sjellë ata. Se kush ishte përgjegjës, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës. Duke e pasur këtë lloj njohurie dhe duke e ditur se cilat kanë qenë zhvillimet, unë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por megjithatë kam të drejtën që ta them zëshëm mendimin tim", tha Rubin.
Ai gjatë dëshmisë së tij disaorëshe në ditën e dytë, ka thënë se në fillim e përshkruanin UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste, me gjithë dëshirën që kishin që të ishin në anën e engjëjve, por, më pas ndryshuan qëndrim.
"Ky qëndrim pastaj ndryshoi me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK-ja u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes", u shpreh ai.
Rubin pohoi se pas luftës i ka diskutuar me Hashim Thaçin akuzat për krime lufte gjoja të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe pakicave të tjera, në një takim në Kosovë në fund të pranverës së vitit 1999.
Ai tregoi se e kishte paralajmëruar Thaçin se nuk do ta kishin mbështetjen e ShBA-së nëse do të hakmerreshin për krimet e Serbisë, të kryera në Kosovë.
"Hashim, ne kemi shkuar në betejë për ty, kemi luftuar për ty, kemi vënë besueshmërinë tonë në rrezik për këtë gjë, dhe ne do të dilnim shumë, shumë keq nëse ju ua bëni tani serbëve atë që ata ua kanë bërë juve në mënyrë të tmerrshme", kujtoi Rubin t'i ketë thënë Thaçit.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.
E dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një shkrese më 2 shtator ka njoftuar se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për t'i paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.