| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trump sulmon mediat pas padisë lidhur me qasjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë
"Quhet Zyra Ovale dhe duhet të trajtohet me korrektësi, respekt dhe dinjitet, jo të përdhoset nga klounë të dorës së tretë", tha presidenti amerikan, Trump.
Trump sulmon mediat pas padisë lidhur me qasjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë
Trump sulmon mediat pas padisë lidhur me qasjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën kritikoi CNN, Politico dhe MS NOW, pasi këto tri organizata mediatike ngritën padi kundër vendimit të Shtëpisë së Bardhë për t'ua ndaluar gazetarëve të tyre qasjen në kompleksin presidencial.

Trump, në një postim në platformën "Truth Social", i cilësoi organizatat si media të "lajmeve të rreme" dhe tha se ato nuk duhet të kenë qasje në Zyrën Ovale. "Quhet Zyra Ovale dhe duhet të trajtohet me korrektësi, respekt dhe dinjitet, jo të përdhoset nga klounë të dorës së tretë, të cilët qëllimisht shtrembërojnë, përmbysin dhe degradojnë gjithçka që shkruajnë ose publikojnë", shkroi ai.

Trump më tej tha: "Praktikisht çdo lajm për mua, apo çdo gjë që lidhet me mua, është negativ, i gabuar dhe në shumë raste, i rrezikshëm për vendin tonë! Pavarësisht se sa të mëdha janë arritjet e mia, ata i minimizojnë dhe i zhvlerësojnë".

Trump shtoi se do të "bënte gjithçka të nevojshme që ShBA-ja të lulëzojë", duke e cilësuar "lajmin e rremë" si "kërcënim për demokracinë". Ndërkohë, anëtarët e grupit televiziv të Shtëpisë së Bardhë, ku bëjnë pjesë ABC News, CBS News, CNN, Fox News Media dhe NBC News, publikuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të mediave të përjashtuara.

"Publiku ka interes jetik për të marrë informacion të saktë dhe të pavarur për qeverinë e tij", thanë anëtarët e grupit, duke shtuar se: "Asnjë administratë nuk duhet të kufizojë një organizatë mediatike vetëm sepse nuk pajtohet me raportimin e saj". Pesë rrjetet kryesore televizive pezulluan mbulimin e aktiviteteve të Shtëpisë së Bardhë të hënën në mëngjes, në shenjë proteste ndaj ndalimit të gazetarëve nga CNN, MS NOW dhe Politico.

Të hënën, ceremonia e prerjes së shiritit në Shtëpinë e Bardhë, ku mori pjesë Trumpi i rrethuar nga punëtorë me helmeta dhe jelekë sigurie, u transmetua nga media amerikane Newsmax vetëm me pamje të drejtpërdrejta dhe pa zë, pasi grupi i gazetarëve nuk ishte i pranishëm.

"The Washington Post" njoftoi se nuk do të publikonte fotografi nga aktivitetet presidenciale të hënën, duke iu bashkuar mediave të tjera në shenjë mbështetjeje.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë