| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Marta Kos në Podgoricë: Brukseli do të sigurojë që anëtarët e rinj të respektojnë rregullat
Kos tha se anëtarët e ardhshëm do të përfshihen në të ashtuquajturin mekanizëm sigurie, që synon të parandalojë shkeljen e standardeve evropiane pas anëtarësimit.
Marta Kos në Podgoricë: Brukseli do të sigurojë që anëtarët e rinj të respektojnë rregullat
Marta Kos në Podgoricë: Brukseli do të sigurojë që anëtarët e rinj të respektojnë rregullat / TRT Balkan
4 orë më parë

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës në Podgoricë ka deklaruar se blloku evropian ka nxjerrë mësime nga zgjerimet e mëparshme dhe planifikon të vendosë mekanizma shtesë mbrojtës për të siguruar që anëtarët e rinj të respektojnë rregullat.

Në një konferencë për media me kryeministrin malazez Milojko Spajiq, Kos tha se anëtarët e ardhshëm do të përfshihen në të ashtuquajturin mekanizëm sigurie, që synon të parandalojë shkeljen e standardeve evropiane pas anëtarësimit, por theksoi se "kjo nuk i referohet specifikisht Malit të Zi".

"Duam të jemi të sigurt se mund të reagojmë në rast se ndonjë nga vendet anëtare nuk i përmbahet rregullave", tha Kos. Ajo theksoi se Mali i Zi aktualisht është vendi kandidat më i avancuar dhe se gjatë vitit të kaluar ka shënuar përparim të konsiderueshëm, duke shërbyer si shembull për pjesën tjetër të rajonit.

Sipas saj, prioritetet kryesore për përparim të mëtejshëm janë përshpejtimi i reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit si dhe mbështetja më e gjerë për procesin e integrimit evropian nga partitë politike, shoqëria civile dhe qytetarët.

Kos theksoi se çdo vend kandidat duhet të sigurojë sistem gjyqësor të pavarur dhe media të lira, duke shtuar se Mali i Zi mund të bëhet vendi i parë që do të anëtarësohet në BE sipas kushteve të reja, më të rrepta.

"Nëse i përmbushni të gjitha kushtet, do të merrni të gjitha të drejtat si shtet anëtar", tha ajo.

Spajiq, nga ana e tij, theksoi se fokusi i qeverisë së tij është në reformat në kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, duke shtuar se pret përmbyllje të përshpejtuar edhe të kapitujve të tjerë negociues.

Ai tha se përparimi i deritanishëm është mbresëlënës dhe se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj dinamikës së planifikuar, pavarësisht presioneve.

Duke folur për ligjet e miratuara së fundmi që kanë shkaktuar tensione politike, Kos tha se disa dispozita, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të dhënave, ende nuk janë plotësisht në përputhje me rregullat e BE-së, por se ka marrë garanci se po punohet për këtë.

Ajo shtoi se Komisioni Evropian do të monitorojë nga afër zbatimin e reformave në periudhën e ardhshme.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë