Komisionerja Evropiane për Barazi, Gatishmëri dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib i bëri thirrje sot Izraelit të lejojë ndihmat humanitare në Gaza për më shumë ditë dhe të vendosë rregulla të qarta dhe të parashikueshme për dërgesat.
Duke folur me gazetarët përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Lahbib tha se kushtet e dimrit po përkeqësojnë krizën humanitare në enklavën palestineze.
"Gaza po përballet me një katastrofë humanitare dhe dimri po e bën atë edhe më vdekjeprurës", tha ajo duke shtuar se 70 mijë tenda janë përmbytur, familjet janë të ekspozuar ndaj shiut të ftohtë dhe fëmijët po vdesin nga hipotermia.
Lahbib i kërkoi Izraelit të lejojë më shumë furnizime strehimi, makineri të rënda, vaj motori dhe pjesë këmbimi. Ajo tha se furnizimet kritike humanitare të klasifikuara si me përdorim të dyfishtë lejohen në Gaza vetëm një herë në javë.
"Ne kemi nevojë për më shumë ditë hyrjeje dhe rregulla të parashikueshme. Ne nuk kemi as rregulla të shkruara", theksoi Lahbib. Ajo i bëri thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar.
BE-ja premton më shumë ndihmë dimërore për Ukrainën
Duke iu kthyer Ukrainës, Lahbib akuzoi Rusinë se synon qëllimisht infrastrukturën e ngrohjes, ujit dhe energjisë elektrike dhe "e ka kthyer dimrin në një armë lufte".
Ajo tha se BE-ja do të dorëzojë 500 gjeneratorë, së bashku me strehimore dhe furnizime të tjera humanitare nga rezervat e saj, mbi 20 milionë euro në ndihmë emergjente të alokuar në fillim të shtatorit. "Norvegjia do të sigurojë katër ura modulare ndërsa Franca do të dërgojë 200 autobusë", shtoi Lahbib.
Lidhur me Sirinë, Lahbib tha se BE-ja ka dhënë 210 milionë euro rekord në ndihmë humanitare këtë vit. Ajo tha se 15 milionë sirianë varen nga ndihma humanitare dhe 8 milionë mbeten të zhvendosur.
Lahbib tha se përshkallëzimi i fundit në Jemen ka zhvendosur mbi 300 mijë njerëz dhe e ka bërë më të vështirë që ndihmat të arrijnë tek ata në nevojë. Një urë ajrore humanitare e BE-së dërgoi furnizime në Sana dhe Aden javën e kaluar, tha ajo.























