Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën se shpreson që së shpejti të vizitojë Serbinë, duke theksuar se administrata e presidentit Donald Trump dëshiron ta thellojë partneritetin strategjik ndërmjet Washingtonit dhe Beogradit.
Rubio e bëri këtë deklaratë në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Deklarata e tij u publikua të enjten nga mediat rajonale.
“Gjatë kësaj administrate kemi ndërmarrë hapa për ta avancuar bashkëpunimin tonë. E di se përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare tashmë e kanë vizituar atë vend. Shpresoj që edhe unë të kem mundësi ta vizitoj”, tha Rubio.
Ai theksoi se Uashingtoni dëshiron ta thellojë më tej partneritetin strategjik me Serbinë, duke trajtuar njëkohësisht edhe çështjet që lidhen me Beogradin dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare.
“Ky është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë duke trajtuar disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, tha Rubio.
Rubio shtoi se forcimi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Beogradit tashmë është në proces, duke theksuar se përfaqësues të institucioneve amerikane kanë vizituar Serbinë gjatë periudhës së fundit.
Raundi i parë i Dialogut Strategjik ShBA–Serbi u zhvillua më 17 korrik në Uashington, ku Rubio dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, hapën bisedimet. Dialogu është vendosur si një kornizë institucionale për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë raundit të parë të bisedimeve u diskutuan çështjet e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, energjetikën dhe sigurinë.
Njoftimi i Rubios vjen në një periudhë të intensifikimit të kontakteve mes Washingtonit dhe Beogradit, pas nisjes së Dialogut Strategjik dhe një sërë aktivitetesh dypalëshe.



















