Më shumë se 50 mijë hektarë janë djegur në të gjithë Francën që nga fillimi i vitit, deklaroi të premten ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, duke e cilësuar zjarrin aktiv në departamentin jugperëndimor të Gironde-s si më të madhin e këtij sezoni në vend.
“Deri më tani kemi tejkaluar pragun prej 50 mijë hektarësh të djegur në të gjithë Francën që nga fillimi i vitit”, tha Nunez.
Ai bëri të ditur se zjarri, i cili shpërtheu të mërkurën pranë Saumos-it, në veri të Gjirit të Arcachon-it në Gironde, ka djegur tashmë më shumë se 10 mijë hektarë dhe vijon të jetë jashtë kontrollit.
“Zjarri vazhdon të përhapet dhe është i vështirë për t’u vënë nën kontroll”, tha Nunez, duke e cilësuar atë si “zjarrin më të madh të sezonit”.
Sipas tij, rreth 40 mijë persona janë evakuuar për shkak të flakëve.
Ministri tha se rreth një mijë zjarrfikës janë angazhuar në luftën kundër zjarrit, të mbështetur nga personeli i Sigurisë Civile, njësitë inxhinierike ushtarake dhe helikopterët.
Nunez bëri të ditur se zjarri ka dëmtuar rreth 80 shtëpi, prej të cilave afro 50 janë shkatërruar plotësisht.
Ai shtoi se flota ajrore e Francës për shuarjen e zjarreve ka kryer tashmë dy herë e gjysmë më shumë orë fluturimi, hedhje uji dhe misione sesa gjatë gjithë sezonit të zjarreve të vitit të kaluar.
Sipas Nunez, 330 xhandarë dhe gjashtë skuadrilje të lëvizshme të xhandarmërisë janë dislokuar aktualisht në zonën Gironde-Landes për të ndihmuar në operacionet e evakuimit.
Ministri konfirmoi gjithashtu se Franca ka kërkuar ndihmë nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
Ai tha se Kroacia po dërgon dy avionë Canadair dhe Portugalia dy avionë Air Tractor, ndërsa Çekia dhe Sllovakia do të dërgojnë nga një helikopter Black Hawk për të mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve në Francën jugperëndimore.
Zjarret kanë detyruar evakuimin e më shumë se 43 mijë banorëve dhe turistëve në Gironde dhe në departamentin fqinj Landes, në Francën jugperëndimore.
Zjarri në Gironde, i cili shpërtheu të mërkurën pranë Gjirit të Arcachonit dhe gadishullit Cap-Ferret, detyroi më herët të premten evakuimin e të gjithë gadishullit, pasi flakët përparuan gjatë natës.
Autoritetet pezulluan gjithashtu lundrimin në Gjirin e Arcachon-it për të lehtësuar evakuimet nëpërmjet detit.
Një zjarr tjetër pranë Biscarrosse-s, në departamentin fqinj Landes, ka djegur më shumë se 2.500 hektarë dhe ka detyruar evakuimin e mbi 23 mijë personave, përfshirë banorë, persona që qëndronin në kampe dhe pushues, sipas autoriteteve lokale.
Në Francën juglindore, një tjetër zjarr pranë Cotignac-ut, në departamentin Var, mbeti i qëndrueshëm, por ende nuk ishte vënë nën kontroll. Më shumë se 950 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë për hedhjen e ujit dhe një helikopter i Sigurisë Civile, vijuan përpjekjet për të kontrolluar flakët.



















