LDK-ja kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës
Sipas LDK-së, një nga kriteret kryesore të përcaktuara nga BE-ja, përkatësisht transferimi i pushtetit lokal në komunat veriore të Kosovës, tashmë është përmbushur, çka e bën të panevojshëm vazhdimin e masave ndëshkuese.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se vazhdimi i tyre është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.
Në një njoftim për media, LDK-ja thekson se masat e vendosura nga BE-ja po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, ndërsa nuk kanë ndikuar te bartësit politikë të vendimmarrjes.
Sipas LDK-së, një nga kriteret kryesore të përcaktuara nga BE-ja, përkatësisht transferimi i pushtetit lokal në komunat veriore të Kosovës, tashmë është përmbushur, çka e bën të panevojshëm vazhdimin e masave ndëshkuese.
“Si pasojë e këtyre masave, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët,” thuhet në njoftim.
LDK-ja i ka bërë thirrje BE-së që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit, duke theksuar se vendi meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e tij evropian.
Në këtë kontekst, LDK-ja ka bërë të ditur se kryetari i saj dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka drejtuar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës ka kërkuar rishqyrtimin dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës.
Kosova gjendet nën masat sanksionuese të BE-së që nga viti 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.