Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekretuar sot dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr në vitin 2022.
Haxhiu tha nëpërmjet rrjeteve sociale të martën se nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin e tyre nga detyra.
"Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara", theksoi Haxhiu.
Ajo tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.
Një ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve nga serbët që dëshironin të tërhiqeshin nga dorëheqja e mëparshme.
Zyrtarë serbë ishin dorëhequr më 2022, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.
Për t'iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në vitin 2022 në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët ndërsa në Këshillin Prokurorial të Kosovës 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.























