Türkiye dhe Mbretëria e Bashkuar diskutuan hapat për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, përfshirë modernizimin e marrëveshjes së tyre të tregtisë së lirë, njoftoi ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat.
Bolat tha të mërkurën në platformën turke të mediave sociale NSosyal se ishte “i kënaqur” që priti në Ministrinë turke të Tregtisë Chris Bryant, ministrin britanik të Shtetit për Tregtinë.
Në takim u trajtuan përpjekjet për forcimin e mëtejshëm të partneritetit ekonomik Türkiye-Mbretëri e Bashkuar, marrëdhëniet me BE-në, modernizimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë, rritja e investimeve, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, ndërveprimi më i thellë mes komuniteteve të biznesit dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në vende të treta.
Bolat tha se vëllimi tregtar dypalësh arriti në 24 miliardë dollarë në vitin 2025, duke treguar potencialin e fortë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai shtoi se Türkiye dhe Mbretëria e Bashkuar synojnë ta arrijnë objektivin e përbashkët të vëllimit tregtar prej 40 miliardë dollarësh pas përfundimit të bisedimeve për tregtinë e lirë, raundi i pestë i të cilave u mbajt këtë javë.
“Me përfundimin e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë, synojmë të arrijmë objektivin tonë të përbashkët prej 40 miliardë dollarësh, duke e bërë tregtinë tonë më konkurruese dhe më të integruar”, tha Bolat.
Ai shtoi se Türkiye do të vazhdojë të shërbejë si një partner i besueshëm dhe qendër rajonale për kompanitë britanike, falë fuqisë së saj prodhuese, pozicionit strategjik dhe infrastrukturës së qëndrueshme të furnizimit.
Bolat tha se Ankaraja dhe Londra do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa të përbashkët për të rritur tregtinë dhe investimet e ndërsjella, për të mbështetur komunitetet e biznesit dhe për të zgjeruar partneritetin ekonomik në fusha të reja.






















