| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Haxhiu dhe Kurti: Opinioni i GjND-së, gurthemel i shtetësisë së Kosovës
Haxhiu theksoi se opinioni i GjND-së, i publikuar më 22 korrik 2010, konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Haxhiu dhe Kurti: Opinioni i GjND-së, gurthemel i shtetësisë së Kosovës
Haxhiu dhe Kurti: Opinioni i GjND-së, gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), duke e cilësuar atë si një moment kyç në konsolidimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Haxhiu theksoi se opinioni i GjND-së, i publikuar më 22 korrik 2010, konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

"Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare", shkroi Haxhiu.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti theksoi se opinioni i GjND-së vulosi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë dhe hodhi poshtë një nga argumentet kryesore juridike të përdorura kundër shtetësisë së Kosovës. Sipas tij, ky vlerësim forcoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe krijoi një bazë më të fuqishme për afirmimin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare.

"Për Kosovën, ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Për bashkësinë ndërkombëtare, ishte një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë", shkroi Kurti.

Ai theksoi se mbrojtja më e mirë e kësaj trashëgimie nuk është vetëm kujtimi i saj por edhe justifikimi i saj, çdo ditë, me institucione demokratike, me sundim të ligjit dhe me një Republikë që e forcon legjitimitetin e saj përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë.

Më 22 korrik 2010, GjND-ja në Hagë hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk binte ndesh me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Opinioni këshillëdhënës u dha pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar nga Gjykata një vlerësim mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë