| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Kosovës pa kuorum për votimin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani
“Sipas informacioneve që kam, do të ketë edhe një seancë tjetër. Prandaj, ju ftoj që të qëndroni në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Seanca e ardhshme është thirrur për orën 22:00”, tha Haxhiu pasi u përmbyll seanca.
Kuvendi i Kosovës pa kuorum për votimin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani
Kuvendi i Kosovës pa kuorum për votimin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani / AA
5 orë më parë

Në mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur që të votohen amendamentet e propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat përcaktojnë që presidenti të zgjidhet me votë nga populli.

Në sallë të pranishëm ishin 93 deputetë, përfshirë nëntë deputetë nga komunitetet joshqiptare, ndërsa për ndryshimet kushtetuese duhet që përpos dy të tretave të deputetëve shqiptarë të jenë edhe dy të tretat e deputetëve nga komunitetet joshqiptare.

“Sipas informacioneve që kam, do të ketë edhe një seancë tjetër. Prandaj, ju ftoj që të qëndroni në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Seanca e ardhshme është thirrur për orën 22:00”, tha Haxhiu pasi u përmbyll seanca.

Amendamentet e propozuara nga presidentja Osmani morën mbështetjen parimisht nga partitë e mëdha shqiptare, por ato ishin të pamjaftueshme pa mbështetjen edhe të partive joshqiptare, ku bënë pjesë edhe Lista Serbe që ka nëntë ulëse në Kuvend.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) paraprakisht deklaroi se mbështet ndryshimin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani ku zgjedhja e presidentit i lihet në dorë qytetarëve.

Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha se shumë shpesh çështja e presidentit ka qenë shkak për bllokim institucional dhe kërkesa për ndryshimin e amendamenteve është reflektim nga një periudhë e gjatë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, nga ana tjetër, tha se partia e tij vlerëson se çështja e zgjedhjes së presidentit nga populli është temë shumë serioze dhe meriton trajtim institucional serioz, por sipas tij ky trajtim nuk është serioz. Sipas tij, ky propozim erdhi në orët e fundit të afatit kushtetues kur duhet të votohet për presidentin e ri.

“Në parim jemi për, por kjo kërkon trajtim në përputhje me Rregulloren, Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hamza.

Ndërkaq, lreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se janë për që të ndryshohen amendamentet të cilat përcaktojnë që presidenti të zgjidhet nga populli.

Abdixhiku tha se LDK-ja mbështet dhe i voton këto amendamente, sepse, siç tha ai, edhe LDK-ja ka kontribuuar në shkrimin e këtyre amendamenteve në vitin 2011.

Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani erdhi vetëm pak orë para se të skadojë afati kushtetues kur duhet të votohej për emrin e presidentit të ri në Kuvendin e Kosovës, ndërsa partia në pushtet, LVV-ja, nuk ia siguroi Osmanit nënshkrimet për një tjetër mandat si presidente, por e propozoi Glauk Konjufcën për këtë pozitë.