Ndërsa Rripi i Gazës ka pësuar shkatërrime të mëdha si pasojë e sulmeve që Izraeli vazhdon që nga tetori i vitit 2023, ku mijëra civilë kanë humbur jetën dhe infrastruktura është dëmtuar rëndë, fëmijët dhe të rinjtë në rajon përpiqen ta mbajnë gjallë pasionin për futbollin mes rrënojave, tendave dhe ndërtesave të shkatërruara.
Gjatë kësaj periudhe, në të cilën mijëra njerëz kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë plagosur dhe një numër i madh objektesh, përfshirë infrastrukturën shëndetësore, arsimore, të strehimit dhe sportive, janë shkatërruar në Gaza, sportistët dhe trajnerët nuk e kanë humbur shpresën dhe përpiqen t’i mbajnë aktivë talentet e reja pavarësisht të gjitha vështirësive.
Fëmijët palestinezë, të cilët dikur stërviteshin në fushat e klubeve dhe në objektet sportive të lagjeve, sot luajnë futboll mes rrënojave të ndërtesave të shembura dhe në hapësira të hapura. Ish-futbollistët dhe trajnerët, me mundësi të kufizuara, përpiqen t’i mbledhin të rinjtë dhe të vazhdojnë trajnimin futbollistik.
Ish-lojtari i Klubit Ittihad Shujaiyya dhe i Kombëtares së Palestinës, Muhammed Suveyrki, tha se për shkak të shkatërrimit të objekteve sportive nga sulmet izraelite, ata po shfrytëzojnë çdo hapësirë të lirë për të punuar me fëmijët.
"Mes këtij shkatërrimi, ne po përpiqemi të rrisim një brez që një ditë do ta përfaqësojë Kombëtaren e Palestinës në arenën ndërkombëtare, aziatike dhe arabe", tha Suveyrki.
- "Na i shkatërruan fushat, por ne përsëri luajmë"
Futbollisti Ahmed Hassune tregoi se para luftës luanin futboll në fusha dhe klube, por pas sulmeve izraelite, ashtu si shumë vende të tjera në Gaza, janë shkatërruar edhe të gjitha objektet sportive.
“Izraeli na i shkatërroi të gjitha fushat. Po tani ku do të luajmë? Ne e duam futbollin, jemi të dashuruar pas futbollit. Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, do të vazhdojmë të luajmë”, tha Hassune.
Ai theksoi se një ditë dëshiron të veshë fanellën e Kombëtares së Palestinës dhe se nuk do të heqin dorë nga futbolli pavarësisht gjithë shkatërrimit.
- "Talentet po i mbledhim nga rrugët dhe rrënojat"
Trajneri i ekipit të të rinjve të Klubit Ittihad Shujaiyya dhe ish-gjyqtari ndërkombëtar, Muhammed Sulejman Halil, tha se për shkak të shkatërrimit të fushave, trajnerët janë detyruar të kërkojnë hapësira alternative.
"Për të mos i humbur këto talente, ne i mbledhim nga rrugët, nga mesi i rrënojave dhe nga rrethinat e tendave", tha Halil.
- Ëndrra e fëmijëve është Evropa dhe kombëtarja
15-vjeçari Zeyn Hazim Ebu Ata tha se para sulmeve synimi i tij ishte të luante për Ittihad Shujaiyya dhe Kombëtaren e Palestinës, por se ky proces u ndërpre pas shkatërrimit të fushave.
Ebu Ata tha se synon që në të ardhmen të luajë për një klub në Evropë.
Edhe 13-vjeçari Yezin Hirz tregoi se para luftës stërvitej në fushat e klubeve, ndërsa sot vazhdon të luajë futboll mes rrënojave.
“Ëndërroj të luaj në një klub të madh evropian”, tha Hirz.
Sportistët në Gaza theksojnë se futbolli nuk është vetëm një lojë, por edhe një mjet për t’u kapur pas jetës dhe për të ruajtur shpresën për të ardhmen në një qytet të shkatërruar nga sulmet izraelite.























