| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Izraeli i ashpërson kufizimet në Hebronin e pushtuar në Bregun Perëndimor, vazhdon ofensiva
Mbylljet ushtarake dhe shembja e shtëpive kanë zhvendosur afro 5.000 palestinezë, ndërsa bastisjet, arrestimet dhe sulmet e kolonëve të paligjshëm izraelitë po pengojnë jetën e përditshme.
Izraeli i ashpërson kufizimet në Hebronin e pushtuar në Bregun Perëndimor, vazhdon ofensiva
Izraeli i ashpërson kufizimet në Hebronin e pushtuar në Bregun Perëndimor, vazhdon ofensiva/ AA

Ushtria izraelite ka ashpërsuar kufizimet në lagjet e banuara të Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, të shtunën, ndërsa ofensiva e saj ushtarake ka hyrë në ditën e nëntë radhazi, bëjnë të ditur dëshmitarët.

Ofensiva, e cila filloi më 23 tetor, ka detyruar mijëra palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave dhe në shembjen e banesave dhe objekteve të tjera.

Të premten në mbrëmje, forcat izraelite vendosën bllokadë ushtarake në lagjen Ein Deir Bahha, bastisën banesa dhe ndaluan disa të rinj, thanë dëshmitarët për Anadolu.

Sipas tyre, automjetet ushtarake izraelite hynë në lagje, para se ushtarët të njoftonin përmes altoparlantëve se zona ishte shpallur „zonë e mbyllur ushtarake“, duke ndaluar banorët të qëndronin ose të lëviznin nëpër të.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë ushtarë izraelitë të dislokuar në të gjithë lagjen, të cilët paralajmërojnë banorët të mos qëndrojnë në këtë zonë.

Pamje të tjera të publikuara nga mediat, përfshirë rrjetin Quds, tregojnë ushtarë izraelitë duke ndaluar palestinezë dhe duke i detyruar të vendosin duart mbi kokë, para se t'i dërgonin në një lokacion të panjohur.

– Ushtria izraelite shkatërron shtëpi palestineze

Forcat izraelite shkatërruan shtëpitë e Hamouda Wael Mohammed al-Jaaba dhe Ahmed Bassam Mohammed Ashour al-Jaaba në zonën Ain Deir Baha, sipas burimeve lokale dhe dëshmitarëve.

Shembja e banesave pasoi akuzat e Izraelit se dy burrat kishin kryer një sulm me armë zjarri në zonën Farsh al-Hawa, në perëndim të Hebronit, më 23 tetor.

– Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët gjatë vjeljes së ullinjve

Ndërkohë, pesë palestinezë u plagosën të premten, pasi kolonë të paligjshëm izraelitë sulmuan një familje që po vjelte ullinj në lagjen Tel Rumeida, në qendër të Hebronit, bëri të ditur Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit.

Sipas Komisionit, kolonët i rrahën palestinezët, përdorën sprej me piper dhe hodhën gurë, para se t'ua vidhnin të korrat e ullinjve.

Komisioni raportoi gjithashtu se kolonët dogjën plotësisht një dhomë bujqësore dhe pajisjet e saj në Masafer Yatta, në jug të Hebronit.

Fermerëve palestinezë iu ndalua puna edhe në qytetet Dura dhe al-Shuyukh, shtoi Komisioni.

Që nga fillimi i ofensivës, forcat izraelite kanë vendosur bllokada në Hebron dhe në fshatrat përreth. Ato gjithashtu kanë marrë nën kontroll shtëpi në lagjet Jilada dhe Ain Deir Baha, duke i shndërruar ato në kazerma ushtarake.

Ofensiva është shoqëruar me zhvendosje të detyruar të banorëve, shembje të shtëpive dhe objekteve afariste, si dhe shkatërrim të infrastrukturës. Në disa shtëpi të shndërruara në pozicione ushtarake janë ngritur edhe flamuj izraelitë.

– Afro 5.000 palestinezë të zhvendosur

Komuna e Hebronit bëri të ditur të martën se ofensiva izraelite ka detyruar 4.969 palestinezë nga 780 familje të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se forcat izraelite kanë arrestuar 110 palestinezë në të gjithë rajonin, në periudhën nga e mërkura deri të premten.

Bllokadat ushtarake dhe rrethimi i vazhdueshëm kanë ndërprerë gjithashtu procesin mësimor në 66 shkolla, duke prekur 2.872 nxënës.

Prej tyre, 2.198 nxënës vazhdojnë të jenë nën rrethim të drejtpërdrejtë, ndërsa 674 të tjerë janë zhvendosur me forcë dhe nuk mund të arrijnë në shkollat e tyre.

Palestinezët e zhvendosur kanë kërkuar përfundimin e bllokadave ushtarake dhe heqjen e rrethimit të lagjeve të tyre, në mënyrë që të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të rifillojnë jetën e përditshme.