Türkiye kërkon diplomaci për t'i dhënë fund luftës së ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit
Akturk dënoi veprimet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në fronte të shumta, përfshirë Libanin, Sirinë dhe territoret palestineze.
Türkiye paralajmëron se përshkallëzimi i armiqësive në Lindjen e Mesme rrezikon të përhapet në gjithë rajonin mes sulmeve të vazhdueshme të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke kërkuar kthim në diplomaci, tha sot Ministria Turke e Mbrojtjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zeki Akturk, tha se konflikti, i cili filloi me sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe u intensifikua pasi Irani shënjestroi vende të treta, vazhdon të paraqesë rrezik për luftë më të gjerë rajonale.
"Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në bazë të së drejtës ndërkombëtare, përmes dialogut dhe diplomacisë. Qëndrimi dhe përpjekjet tona të vendosura në këtë drejtim vazhdojnë. Shpresojmë që konfliktet që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë do të marrin fund sa më shpejt të jetë e mundur", tha ai.
Akturk dënoi veprimet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në fronte të shumta, përfshirë Libanin, Sirinë dhe territoret palestineze.
"Sulmet e Izraelit në Liban, të cilat përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës humanitare, kanë çuar në vdekjen e tre anëtarëve të personelit paqeruajtës të OKB-së. Izraeli vazhdon gjithashtu të shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë përmes sulmeve të tij në jug të vendit ndërsa vazhdon aktivitetet e paligjshme në Bregun Perëndimor dhe sulmet që e synojnë Gazën", tha Akturk.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime.
“Për ta parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të legjitimitetit të sistemit ndërkombëtar dhe besimit në të drejtën ndërkombëtare, ne i bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht OKB-së, ta marrë përgjegjësinë për ta parandaluar agresionin e Izraelit”, tha Akturk.
Sipas tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu, është planifikuar ta presë komandantin e Forcave Tokësore Libiane më vonë sot.