Instituti Turk i Statistikave (TUIK) dhe Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë së Veriut kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e statistikave.
Sipas një njoftimi me shkrim nga TUIK-u, kryetari i këtij institucioni, Mehmet Arabaci ka marrë pjesë në Konferencën e 111-të të Kryetarëve të Instituteve Kombëtare të Statistikave të Evropës, e cila u mbajt në Bernë të Zvicrës.
Konferenca, e cila organizohet çdo vit në kuadër të Sistemit Evropian të Statistikave, nën mikpritjen e institutit kombëtar të statistikave të një vendi të ndryshëm, këtë vit u organizua nga Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës, në bashkëpunim me Zyrën e Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat).
Konferenca mblodhi drejtuesit e instituteve kombëtare të statistikave të vendeve anëtare dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe sektorit të teknologjisë.
Në konferencë u diskutua besueshmëria e statistikave zyrtare
Në konferencën e mbajtur me temën “Të dhënat dhe statistikat zyrtare të gatshme për inteligjencën artificiale”, u diskutuan ndikimet e inteligjencës artificiale në prodhimin, publikimin dhe përdorimin e statistikave zyrtare, qasja në të dhëna dhe ripërdorimi i tyre në mënyrë të përgjegjshme si dhe ruajtja e besueshmërisë së statistikave zyrtare.
Gjithashtu, u theksua përshtatja e statistikave zyrtare me nevojat në ndryshim të përdoruesve, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet zyrave kombëtare të statistikave dhe përcaktimi i përparësive dhe standardeve të përbashkëta për të ardhmen e Sistemit Evropian të Statistikave në epokën e inteligjencës artificiale.
Në kuadër të konferencës, kryetari i TUIK-ut, Arabaci zhvilloi takime dypalëshe me kryetaren e Eurostatit, Mariana Kotzeva si dhe me drejtues të lartë të institucioneve pjesëmarrëse. Gjatë takimeve u shqyrtuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit institucional, shtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
– Memorandum mirëkuptimi ndërmjet TUIK-ut dhe Maqedonisë së Veriut
Në kuadër të konferencës, TUIK-u dhe Enti Shtetëror i Statistikave i Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e statistikave.
Memorandumi synon shtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave lidhur me standardet dhe metodat ndërkombëtare të statistikave, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta të bashkëpunimit teknik, organizimin e vizitave të ekspertëve, punëtorive dhe seminareve si dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve.






















