Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.
Kurti gjatë vizitës së sotme në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në lokacionin e dyshuar si varrezë masive, tha se në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës që janë kryer në Kosovë.
“I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, ShBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh, vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.
Kurti deklaroi se gërmimet në lokacionin ku dyshohet për varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut do të vazhdojnë edhe për shumë javë, e ndoshta edhe për muaj, pasi eshtrat e viktimave janë të shpërndara.
Kurti gjatë ditës së sotme vizitoi vendin ku po kryhen gërmimet, nga ku deklaroi se gjatë qëndrimit të tij janë zbuluar edhe mbetje të reja mortore, derisa ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzikës, antropologët, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe EULEX-it po vazhdojnë punën në terren.
Kurti ka thënë se Qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë për procesin e gërmimeve, me synimin që familjet e personave të zhdukur ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.






















