Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, priti në Nju Delhi homologen e tij japoneze Sanae Takaichi për bisedime, duke e përshkruar takimin si fillimin e një "kapitulli të ri" në partneritetin e tyre strategjik të veçantë dhe global.
"Besimi i ndërsjellë është pasuria jonë më e madhe strategjike", tha Modi në deklarata për media pas bisedimeve me Takaichin, e cila ndodhet në një vizitë treditore në vendin e Azisë Jugore për samitin e 16-të vjetor Indi-Japoni në Nju Delhi.
"Japonia ka qenë pjesë integrale e historisë së zhvillimit të Indisë dhe … partneriteti teknologjik do të jetë shtylla më e fortë e bashkëpunimit tonë", tha kryeministri indian. "Për ta realizuar këtë vizion, sot kemi nxjerrë edhe një deklaratë të përbashkët në fushën e inteligjencës artificiale", shtoi ai.
Në lidhje me sektorin e mbrojtjes, ai tha: "Do të zhvillojmë së bashku teknologji të tilla mbrojtëse që do të forcojnë paqen rajonale, sigurinë detare dhe rendin e bazuar në rregulla".
Ai theksoi se të dy palët do ta "forcojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit në fusha strategjike si gjysmëpërçuesit, teknologjitë kuantike dhe materialet e avancuara".
Në deklaratën e saj, Takaichi tha se krijimi i një marrëdhënieje bashkëpunuese "plotësuese" mes Japonisë dhe Indisë është bërë "edhe më i rëndësishëm" në kushtet e "çrregullimeve" në çështjet ndërkombëtare.
"U pajtuam të thellojmë bashkëpunimin strategjik … për t'i arritur këto qëllime të përbashkëta. Zgjerimi i bashkëpunimit për sigurinë detare është veçanërisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal", tha ajo.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Takaichit në Indi dhe vjen pas vizitës së Modit në Tokio në gushtin e kaluar.
Pas bisedimeve në nivel delegacionesh, të dy palët miratuan një deklaratë të përbashkët për sigurinë ekonomike dhe deklarata të përbashkëta për bashkëpunim në fushën e inteligjencës artificiale dhe qëndrueshmërisë energjetike.
Po ashtu u shkëmbyen memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje në fushat e sigurisë ekonomike, energjisë së pastër, teknologjive kritike dhe kërkimit e zhvillimit.























