| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte kundër civilëve në Gjakovë
Siç njofton Prokuroria, të pandehurit akuzohen për vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor”.
Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte kundër civilëve në Gjakovë
Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte kundër civilëve në Gjakovë / َAA

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurëve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës.

Siç njofton Prokuroria, të pandehurit me inicialet M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G., T.A., akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.

“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, përfundon Prokuroria.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë