Hamas: Kemi marrë garanci nga ndërmjetësuesit dhe ShBA-ja se lufta “ka përfunduar plotësisht”
Udhëheqësi i grupit, Khalil al-Hayya, bëri të ditur se qindra të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit.
Hamas njoftoi të enjten se ka marrë garanci nga ndërmjetësuesit dhe Shtetet e Bashkuara se lufta izraelite në Gaza “ka përfunduar plotësisht”.
Në një fjalim të regjistruar paraprakisht, udhëheqësi i Hamasit, Khalil al-Hayya, shpalli marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin dhe përshkroi hapat e menjëhershëm që do të ndërmerren, përfshirë tërheqjen e forcave izraelite, rihapjen e pikës kufitare Rafah dhe lejimin e ndihmës humanitare në Gaza.
Ai tha se marrëveshja përfshin gjithashtu një shkëmbim të madh të të burgosurve, me 250 palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite dhe 1.700 të tjerë të arrestuar pas 7 tetorit 2023 që do të lirohen, së bashku me të gjithë fëmijët dhe gratë e ndaluara.
“Ne kemi marrë garanci nga vëllezërit tanë ndërmjetësues dhe nga administrata amerikane, të cilët konfirmojnë se lufta ka përfunduar plotësisht”, tha al-Hayya.
Ai shtoi se Hamasi do të vazhdojë të koordinojë me fraksionet kombëtare dhe islamike për zbatimin e hapave të mbetur, për mbrojtjen e interesave palestineze dhe për ndjekjen e të drejtës për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur me Jeruzalemin si kryeqytet.
Më 29 shtator, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Marrëveshja midis Hamasit dhe Izraelit u shpall fillimisht nga Trumpi herët të enjten dhe më vonë u konfirmua edhe nga Tel Avivi.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatosjen e Hamasit.
Plani gjithashtu parashikon financim arab dhe islamik për administratën e re dhe rindërtimin e enklavës.