Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, riafirmoi sot angazhimin e ShBA-së ndaj aleancës transatlantike, duke theksuar se Uashingtoni vazhdon të luajë rol udhëheqës në mbrojtjen kolektive të NATO-s.
"ShBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s", u tha Rutte gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store në Bruksel.
"Ne e shohim atë angazhim çdo ditë në gjithë aleancën me trupat amerikane në Evropë, udhëheqjen e ShBA-së brenda aleancës dhe kontributet e ShBA-së në mbrojtjen tonë kolektive", tha ai kur u pyet nëse Norvegjia mund të mbështetet ende te NATO-ja dhe ShBA-ja në rast të një sulmi.
Rutte tha se angazhimi i uashingtonit demonstrohet nëpërmjet veprimeve konkrete, duke vënë në dukje se ShBA-ja vazhdon të mbështesë çdo ditë arkitekturën e sigurisë së NATO-s. Ai e theksoi rëndësinë strategjike në rritje të Arktikut dhe Veriut të Lartë, duke e përshkruar ekspertizën dhe udhëheqjen e Norvegjisë si thelbësore për qëndrimin e Aleancës në rajon.
Ndërkaq, Store theksoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të koordinohet midis aleatëve për të forcuar aftësitë e përgjithshme të NATO-s dhe planet rajonale të mbrojtjes. Ai vuri në dukje se të gjitha vendet nordike janë integruar tani në strukturën komanduese të NATO-s në Norfolk, Virxhinia, duke reflektuar realitetet në zhvillim të sigurisë dhe përgjegjësinë në rritje të Evropës brenda aleancës.
Më herët sot, Store u takua edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.




















