Peleshi nga Parisi: Franca mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeparlamentari shqiptar Niko Peleshi theksoi se Shqipërinë dhe Francën i lidh një miqësi historike dhe partneritet strategjik, si aleate të besueshme në NATO, dhe se Shqipëria mbështet integritetin terriotiral të Ukrainës.

By
Peleshi nga Parisi: Franca mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në BE / Niko Peleshi/ Facebook

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi dhe delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Francë ku janë pritur nga Presidentja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet.

Peleshi vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën kulturore, arsimore dhe ekonomike, si dhe për rritjen e rolit të parlamenteve në mbështetje të procesit të integrimit europian.

“Franca mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e vendosur e Shqipërisë në sprintin e fundit drejt Bashkimit Europian. Mbështetje e qartë për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027”, shkroi në rrjetin social Facebook, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi.

Mes të tjerash, ai tha se Shqipërinë dhe Francën i lidh një miqësi historike dhe partneritet strategjik, si aleate të besueshme në NATO, dhe se Shqipëria mbështet Ukrainën në mbrojtje të lirisë, integritetit territorial dhe vlerave demokratike.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit, Kryetari i Kuvendit shqiptar, Niko Peleshi, theksoi se anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë, ndërsa reformat, veçanërisht reforma në drejtësi, po ndërtojnë një sistem të pavarur dhe të besueshëm. 

Presidentja Braun-Pivet vlerësoi bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe progresin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Ajo dhe deputetët francezë, të pranishëm në takim, shprehën interes për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, zgjerimin e BE-së, rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, kulturor dhe rolin e diasporës shqiptare në Francë.

Në këtë vizitë së bashku me Peleshin gjenden edhe Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deputetët Hatixhe Konomi dhe Enno Bozdo, anëtarë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Francë, Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.