Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, njoftoi se ka zhvilluar një takim “të ngrohtë dhe konstruktiv” me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë të cilit u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Hoxha theksoi se Shqipëria dhe Luksemburgu ndajnë një partneritet të fortë miqësor dhe bashkëpunues, duke shprehur angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe ekzistuese.
Ai bëri të ditur se me homologun e tij gjithashtu shprehën gatishmërinë për të eksploruar sektorë të rinj si inovacioni, teknologjia dhe turizmi, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe.
Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të Luksemburgut ndaj procesit të integrimit evropian të vendit, si dhe për përkushtimin ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë bisedimeve u diskutuan edhe hapat e ardhshëm në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ritmit të zgjerimit përmes një procesi të besueshëm dhe të bazuar në merita.
Ministri shqiptar theksoi se pret me interes vazhdimin dhe thellimin e këtij partneriteti të ngushtë, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta evropiane, veçanërisht në kuadër të një vizite të ardhshme të ministrit Bettel në Shqipëri.






















