Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia po mbledh ekspertë të sektorit të ndërtimit, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, raporton Anadolu.
“Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, prandaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia është një vend sovran dhe se do të veprojë në përputhje me interesat e saj.
Vuçiq i bëri këto deklarata gjatë një prononcimi për gazetarët, teksa po inspektonte punimet për rikonstruksionin dhe ndryshimin e destinimit të Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Ai tha se edhe nga Mali i Zi i japin leksione për Kosovën, ndonëse, sipas tij, këto janë vende që dërgojnë misione në Kosovë.
“Ata që e kanë njohur Kosovën, që nuk duan të mendojnë për asgjë tjetër. Ata që dërgojnë ushtarë në festimin e ‘Olujës’ dhe më japin leksione për patriotizmin, pastaj për çdo marrëveshje me Prishtinën, qoftë edhe një marrëveshje tregtare, na lexojnë ‘rekuiem. Por kur ata e njohin Kosovën, kjo nuk është për t’u kënduar një ‘rekuiem’, por është normale dhe e lejuar”, tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse pret pasoja për serbët në Kosovë për shkak të reagimeve nga Prishtina ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, pasi gjatë vizitës në Beograd ai tha se “mbështet integritetin territorial të Serbisë”, Vuçiq tha se e di shumë mirë se cilat janë kushtet atje, se merret me të çdo ditë dhe se është shumë e vështirë.























