Macron: Një ushtar francez u vra gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak
Macroni e quajti sulmin "të papranueshëm", duke theksuar se trupat franceze janë të angazhuara në luftën kundër DEASh-it që nga viti 2015.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron njoftoi sot herët se një ushtar francez është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak.
"Oficeri i lartë specialist Arnaud Frion i Batalionit të 7-të të Gjuetarëve Alpinë nga Varces vdiq për Francën gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak", tha Macron në rrjetin social X.
Ai e quajti sulmin "të papranueshëm", duke theksuar se trupat franceze janë të angazhuara në luftën kundër DEASh-it që nga viti 2015. "Prania e tyre në Irak është pjesë e kornizës së rreptë të luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla", tha ai.
"Familjes së tij dhe bashkëluftëtarëve të tij dua t'u shpreh gjithë dhembshurinë dhe solidaritetin e kombit", shtoi Macron.
Më herët, komandanti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Sirwan Barzani tha se të paktën shtatë ushtarë francezë u plagosën të enjten në një sulm me dron në Erbil, ndërsa po ofronin trajnim kundër terrorizmit. Origjina e dronit nuk ishte menjëherë e qartë.
"Ushtarët francezë atje nuk kanë lidhje me luftë apo konflikt. Ata janë thjesht këshilltarë ushtarakë të pranishëm ligjërisht në Irak", tha ai.
Barzani e përshkroi sulmin si "akt të pajustifikuar terrorizmi" dhe i bëri thirrje qeverisë së Irakut të parandalojë incidente të ngjashme në të ardhmen.