Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin "shtet sponsor të terrorizmit"

Rezoluta "Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor  të terrorizmit", u miratua në seancën e sotme parlamentare, ndërkohë i bëhet thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të shpallë organizata terroriste IRGC-në dhe Hezbollahun

By
Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin "shtet sponsor të terrorizmit" / AA

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur Iranin "shtet sponsor të terrorizmit", ndërkohë i ka bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të shpallë organizata terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun.

Rezoluta "Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste", u miratua në seancën e sotme parlamentare, me 79 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Në seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike dhe disa deputetë të partive të tjera opozitare.

Sipas rezolutës në fjalë të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Shqipërisë, "Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë".

Gjithashtu thuhet se Republika e Shqipërisë ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, "i atribuuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë".

"Kuvendi i Shqipërisë dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës", thekson rezoluta duke shprehur solidaritet të plotë me vendet mike të Gjirit Arabik dhe me Türkiyen.

Sipas rezolutës, "Kuvendi shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme, dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese".

"Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike, të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste, të shpallë gjithashtu Hezbollahun si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Holandës dhe një numri shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim", thekson rezoluta.