Dy punonjës të aeroportit të Frankfurtit humbën jetën pasi u infektuan me malarie gjatë një shpërthimi të rrallë të sëmundjes, njoftuan autoritetet të mërkurën.
Vdekja e parë ndodhi në fillim të korrikut, por malaria u konfirmua si shkaku vetëm pas vdekjes së pacientit, sipas Zyrës së Shëndetit Publik të Frankfurtit. Vdekja e dytë, e ndodhur në gusht, u njoftua të mërkurën nga kompania operuese e aeroportit, Fraport.
Në total, gjashtë punonjës të aeroportit u infektuan me malarie, ndërsa katër të mbijetuarit po rikuperohen pas trajtimit, bëri të ditur Zyra e Shëndetit Publik.
Instituti gjerman Robert Koch kishte konfirmuar më herët katër raste mes punonjësve të aeroportit, të cilët u sëmurën ndërmjet 4 dhe 6 korrikut. Zyrtarët besojnë se një ose disa mushkonja Anopheles të infektuara mbërritën nga një rajon ku malaria është endemike, me shumë gjasa në bordin e një avioni.
Fraport ka vendosur kurthe për mushkonjat në aeroport dhe po i dërgon insektet e kapura për ekzaminim në laborator. Punonjësit janë këshilluar të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma tipike të malaries dhe t’i informojnë mjekët se punojnë në aeroport.
Zyra e Shëndetit Publik e Frankfurtit e përshkroi të ashtuquajturën “malarie aeroportuale” si “një formë shumë të rrallë” transmetimi jashtë zonave ku malaria është endemike. “Transmetimi nga personi në person nuk luan rol në malarien aeroportuale”, tha një zëdhënës.
Malaria transmetohet nga mushkonjat Anopheles që janë infektuar më parë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundja mund të jetë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet. Simptomat përfshijnë temperaturë, të dridhura, dhimbje koke, konfuzion, konvulsione dhe vështirësi në frymëmarrje.





















