Kushtet e pafavorshme atmosferike me reshje me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit kanë krijuar situatë problematike në shtatë qarqe të Shqipërisë.
Shkodra, Durrësi, Dibra, Berati, Fieri, Korça dhe Gjirokastra, paraqiten ndër vendet me situatën më të rënduar, sipas raportimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).
Në qarkun e Shkodrës rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë, ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe bllokim të aksit Obot–rruga kryesore për mjetet e ulëta, pa raportime për përmbytje banesash.
Në Durrës, situata ka prirje për përmirësim, por vijon prezenca e ujit në rreth 1.800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në Kënetë dhe Shkozet.
Në Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa ka nisur operacioni i kërkimit për një person të humbur.
Në Berat dhe Fier, rritja e prurjeve të lumenjve ka çuar në përmbytje tokash bujqësore, dëmtime banesash dhe evakuime të kufizuara për arsye sigurie.
Në Korçë dhe Gjirokastër janë raportuar rrëshqitje dherash, bllokime rrugësh dhe dëmtime infrastrukturore.
Ndërkaq, Instituti i Gjeoshkencave informoi sot se sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna, pritet që ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.
Rrezik të shtuar për përmbytje lokale pritet të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, ndërsa nesër pritet rënie e prurjeve dhe niveleve në këta lumenj.
AKMC-ja u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve përgjegjëse.














