Forcat izraelite arrestuan 12 palestinezë në bastisjet e natës në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe okupuesit izraelitë dogjën dy automjete në qytetin Beita, në jug të Nablusit, raportuan të mërkurën burime lokale palestineze.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA deklaroi se forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Balata, në lindje të Nablusit, dhe arrestuan tre palestinezë.
Forcat gjithashtu bastisën një punishte metalesh dhe sekuestruan pajisje nga brenda para se të arrestonin pronarin e saj dhe dy djemtë e tij pas një bastisjeje në shtëpinë e tyre në lagjen al-Jawza të Qytetit të Vjetër të Nablusit.
Në fshatin e afërt Al-Rashaydah, në lindje të Betlehemit, forcat izraelite bastisën disa shtëpi dhe arrestuan e morën në pyetje katër palestinezë.
Forcat izraelite arrestuan gjithashtu dy të rinj në qytetin Aqaba, në veri të Tubasit, pasi bastisën shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, okupuesit sulmuan zonën lindore të Beita dhe i vunë flakën dy automjeteve të parkuara jashtë shtëpive palestineze të mërkurën herët, thanë burime lokale për Anadolu.
Të martën, okupuesit dogjën gjithashtu dy automjete palestineze dhe shkruan slogane raciste me bojë gjatë një bastisjeje në fshatin Umm Safa në pjesën qendrore në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Që kur Izraeli nisi gjenocidin e tij në Rripin e Gazës në tetor 2023, ai ka intensifikuar sulmet ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, ndërsa dhuna nga okupuesit është rritur gjithashtu.
Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit tha se okupuesit kanë kryer 628 sulme kundër palestinezëve, tokës dhe pronës së tyre gjatë gushtit.
Në një deklaratë, komisioni tha se sulmet dëmtuan drejtpërdrejt 164 palestinezë, përfshirë 20 fëmijë dhe 17 gra. Ai shtoi se okupuesit izraelitë shënjestruan gjithashtu 21.508 pemë, përfshirë 19.375 pemë ulliri.
Rreth 750.000 okupuues izraelitë jetojnë në 141 vendbanime të paligjshme dhe 224 posta në Bregun Perëndimor të pushtuar, me 250.000 në 15 vendbanime të paligjshme në Kudsin Lindor të pushtuar, sipas shifrave palestineze.























