Bahamas bëhet vendi i 121-të që njeh Kosovën si shtet sovran

Lajmi është bërë i ditur sot nga presidentja Vjosa Osmani, e cila njoftoi se marrëveshja dypalëshe për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në kryeqytetin e Bahamas, gjatë një takimi me kryeministrin e vendit, Philip Davis.

By
Bahamas bëhet vendi i 121-të që njeh Kosovën si shtet sovran / Vjosa Osmani/ Facebook

Komonuelthi i Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke e bërë vendin e 121-të që njeh pavarësinë e Kosovës. 

Lajmi është konfirmuar të premten nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook, e cila njoftoi se marrëveshja dypalëshe për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në kryeqytetin e Bahamas, gjatë një takimi me kryeministrin e vendit, Philip Davis.

Në deklaratën e plotët, të dy shtetet riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, respektimit të sovranitetit dhe barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. 

“Vendet bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv”, shkruhet në deklaratë.

Kosova dhe Bahamas shprehën synimin për ta thelluar bashkëpunimin në fusha si tregtia, turizmi, arsimi, kultura, teknologjia, investimet dhe konsultimet politike.

“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, shkruhet më tej. 

Presidentja Osmani e cilësoi vendimin si “historik”.