Nën kujdesin e Ambasadës së Türkiyes në Tiranë është organizuar ceremonia përkujtimore për përvjetorin e 10-të të tentativës për grusht shteti në Türkiye, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Në ceremoninë e organizuar te Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të organizatave të shoqërisë civile, familjarë të dëshmorëve turq, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.
Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, gjatë fjalës në ceremoni u shpreh se sot përkujtojnë 10-vjetorin e fitores demokratike të kombit turk "e arritur kundër tentativës tradhtare për grusht shteti e orkestruar nga FETO-ja".
"Organizata FETO e cila lufton për ta çuar përpara agjendën e saj të fshehtë dhe sekrete, është një organizatë terroriste dhe një celulë e krimit të organizuar shumështresore ndërkombëtare dhe me karakteristika të ngjashme okulte të rralla në histori, që ndonjëherë paraqitet si një organizatë e shoqërisë civile, ndonjëherë si institucion arsimor dhe ndonjëherë futur nën petkun e një bashkësie të komunitetit fetar", tha ambasadori turk.
Duke theksuar se është një gabim shumë i rëndë dhe fatal të supozohet se objektivi i vetëm i FETO-s është Republika e Türkiyes, ai tha se "Organizata FETO, e maskuar me aktivitete të tilla si ndihma humanitare, në arsim, në tregti, madje dhe duke keqpërdorur dhe shfrytëzuar të gjitha vlerat fetare përpiqet të ketë ndikim në pjesët e ndryshme të botës, ndërkohë që kërconin dhe rendin në e vendeve në të cilat vepron përmes aktiviteteve të paligjshme".
Ambasadori turk shtoi se një pjesë e konsiderueshme e strukturës lidhur me organizatën FETO, në vendet mike dhe aleate janë penguar falë bashkëpunimit ndërkombëtar të realizuar nga shteti turk, ku sipas tij organizata po përpiqet ta rifitojë dukshmërinë dhe ta forcojë bashkëpunimin e saj me qarqet armiqësore ndaj Türkiyes "duke i përdorur mundësitë e lobimit të propagandës. Struktura e saj përsëri ka pësuar një goditje të rëndë në nivel global".
"Organizata FETO e vazhdon praninë e saj në disa vende mike nën maska të ndryshme. Ne do të vazhdojmë t'u shpjegojmë miqve tanë shqiptarë në çdo rast se sa i madh është rreziku i FETO-s në mënyrë që partneri ynë strategjik Shqipëria të mos i përjetojë ato përvoja të dhimbshme që i ka kaluar vendi ynë. Ne do të vijojmë me vendosmëri përpjekjet tona për ta rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar ndaj qëllimeve të errëta të FETO-s", tha ambasadori Erciyes.
Ambasadori turk Erciyes shtoi se lufta kundër FETO-s është një nga komponentët më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare.
Gjatë ceremonisë u bënë lutje për dëshmorët e 15 Korrikut, ndërkohë u ekspozuan edhe fotografi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti në Türkiye.
Paneli me temë "Vullneti kombëtar dhe rezistenca demokratike: 10-vjetori i 15 Korrikut"
Në kuadër të aktiviteteve për 15 korrikun, në Tiranë u mbajt paneli me temë "Vullneti kombëtar dhe rezistenca demokratike: 10-vjetori i 15 Korrikut", organizuar nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës së Türkiyes, moderuar nga Meryem Ilayda Atlas.
Në fillim të aktivitetit, u shfaq video-mesazhi nga drejtori i Komunikimit i Presidencës së Türkiyes, Burhanettin Duran.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, ambasadori turk u shpreh se fakti që një aktivitet i tillë zhvillohet në një vend mik si Shqipëria, ku sipas tij organizata terroriste FETO vazhdon ende të ekzistojë dhe të veprojë nën forma dhe maskime të ndryshme, "ka një rëndësi të veçantë dhe është një hap i drejtë dhe në kohën e duhur për informimin e opinionit publik shqiptar mbi këtë organizatë terroriste dhe aktivitetet e saj".
"Ngjarjet e natës së 15 Korrikut nuk ishin thjesht një tentativë për grusht shteti, por kanë hyrë në histori si një akt i përgjakshëm terrorist që synonte rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, Presidentit të Republikës së Türkiyes dhe rendit kushtetues në Türkiye", tha ambasadori turk.
Ambasadori Erciyes shtoi se lidhjet e kësaj organizate me krimin e organizuar, ekzistenca e një agjende të fshehtë dhe marrëdhëniet e saj me shërbime inteligjente përbëjnë gjithashtu një rrezik të madh për vendet që i ofrojnë strehë dhe mbështetje FETO-s.
Burhan Kayaturk, kryetar i Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Evropian në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), si pjesë e panelit kujtoi se natën e tentativës për grusht shteti ka qenë në parlament.
"Në çdo platformë ne mundohemi që t'i kujtojmë dhe të tregojmë përjetimet tona lidhur me atë mbrëmje. Ne sot jemi mbledhur për të përkujtuar 10-vjetorin e tentativës për grusht shteti të 15 korrikut, një nga momentet më vendimtare në historinë e afërt të Türkiyes. Atë natë ne nuk zmbrapsëm vetëm një tentativë për grusht shteti, të organizuar nga një organizatë terroriste. Atë natë ne i treguam gjithë botës se si populli turk mbrojti të ardhmen e tij", tha Kayaturk.
Anëtari i Këshillit Presidencial për Politikat Sociale dhe Rinore në Türkiye, Murat Yilmaz, theksoi gjatë panelit se Shqipëria është vërtet një vend me vlerë për Türkiyen.
"Sot po e përkujtojmë 15 korrikun dhe po flasim lidhur me eksperiencat tona. Shpresoj që edhe vëllezërit tanë të përfitojnë nga këto eksperienca dhe dëshiroj që me identitetin e tyre demokratik dhe kapacitetin e tyre qeveritar të rrisin rezistencën (ndaj FETO-s). Ne duhet t'i nxjerrim mësimet tona nga kjo", tha Yilmaz.
Kryetari i fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, u shpreh se populli heroik turk, i doli zot sovranitetit, vullnetit dhe të ardhmes së tij, dhe e "shndërroi këtë natë në një fitore të lavdishme të demokracisë falë dëshmorëve të patrembur dhe heronjve guximtarë".
"FETO, një organizatë terroriste e errët në nivel global, u përpoq përmes një rebelimi të pabesë të marrë peng të ardhmen jo vetëm të Türkiyes, por të mbarë umetit islam, por dështoi", tha Gurra.
Studiuesi dhe analisti Bujar Hoxha u shpreh se qëndresa popullore më 15 korrik, është guri më me peshë në themelet e Türkiyes së re.
"Türkiye mbetet një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtar të denoncimit të gjenocidit izraelit mbi popullsinë e Gazës. Türkiyes dhe presidentit Erdogan po u njihet gjithnjë e më tepër roli i veçantë në shumë prej sfidave me të cilat po përballet bota sot", tha Hoxha.
Türkiyea shënon sot 15 Korrikun, Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, që shënon edhe përvjetorin e dhjetë kur organizata terroriste FETO kreu një tentativë të dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016.





















