Presidenti i Kolumbisë kërkon hetim për trupat që dalin në breg, dyshon për sulme të ShBA-së
Trupat mund të jenë viktima të operacioneve ushtarake amerikane në Karaibe dhe Paqësorin Lindor kundër mjeteve të dyshuara për trafik droge, pritet identifikimi i tyre.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro kërkoi të dielën hetime mbi kufomat që po dalin në breg, duke dyshuar se ato janë viktima të sulmeve ushtarake të SHBA-së ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësorin Lindor.
Petro ndau foto dhe video në platformën X të kompanisë amerikane, duke treguar trupat e zbuluar në La Guajira, një rajon në veri të Kolumbisë që kufizohet me Venezuelën pranë Detit të Karaibeve, ku SHBA-ja ka kryer sulme si pjesë e operacioneve kundër narkotikëve.
“Trupa të gjetur në skajin verior të La Guajira-s. Presim identifikimin nga mjekësia ligjore,” shkroi Petro.
Ai tha se trupat dukeshin duke notuar në detin pranë La Guajira-s, duke kërkuar nga specialistët e mjekësisë ligjore të përcaktojnë identitetet e tyre dhe të koordinohen me prokurorinë e Venezuelës.
“Ato mund të jenë vdekje nga bombardimet në det,” tha Petro.
ShBA-ja ka kryer të paktën 22 sulme në rajon ndaj anijeve të dyshuara se transportonin narkotikë që nga shtatori, duke vrarë të paktën 87 persona.
Ajo ka zgjeruar operacionet ushtarake në gjithë Amerikën Latine në muajt e fundit, duke vendosur marinsa, anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë.