Türkiye po vazhdon sukseset e saj në industrinë e mbrojtjes dhe po kryen “një revolucion të plotë” në këtë sektor, tha të shtunën presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Duke folur në festivalin teknologjik “TEKNOFEST Juglindje”, në provincën juglindore turke Sanliurfa, Erdoğan theksoi përparimin e Türkiyes në industrinë e mbrojtjes dhe u zotua se do të vazhdojnë punën për të shtuar arritjet e vendit.
“Türkiye po vazhdon suksesin në industrinë e mbrojtjes. Ne po kryejmë revolucion të plotë në këtë fushë”, tha ai.
Erdoğan shtoi se Türkiye gjithashtu ndihmon në përmbushjen e nevojave të vendeve mike për mbrojtje kur kërkohet një gjë e tillë.
“Kur na kërkohet, ne gjithashtu përmbushim nevojat e miqve tanë për mbrojtje. Ne besojmë se sa më të fortë të jenë miqtë tanë, aq më të fortë do të jemi edhe ne”, tha ai.
Erdoğan tha se vendi do të synojë të forcojë më tej pozicionin e tij në këtë sektor përmes arritjeve të reja rekord dhe platformave të avancuara.
“Me lejen e Zotit, do të arrijmë edhe më lart. Me lejen e Zotit, do t’i forcojmë më tej këto arritje me rekorde të reja dhe platforma të reja me konkurrueshmëri të lartë dhe vlerë të shtuar”, shtoi ai.






















