Kombëtarja e Finlandës në hokej mbi akull do të refuzojë të luajë kundër Rusisë për sa kohë që vazhdon lufta e saj kundër Ukrainës, deklaroi të hënën kryetari i Shoqatës Finlandeze të Hokejit mbi Akull, Heikki Hietanen.
Hietanen tha për "Yle Urheilu", departamentin sportiv të transmetuesit publik finlandez "Yle" se shoqata do të bëjë gjithçka që është e mundur për të penguar pjesëmarrjen e Rusisë në turnetë ndërkombëtarë, pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS).
"Ne e kemi përcaktuar qëndrimin tonë në mënyrë që Finlanda të mos luajë kundër Rusisë", tha Hietanen në një deklaratë të lëshuar nga shoqata. "Qëndrimi ynë është se ne nuk do të luajmë kundër Rusisë për sa kohë që vazhdon lufta e agresionit kundër Ukrainës", shtoi ai.
Të premten, CAS vendosi që Federata Ndërkombëtare e Hokejit mbi Akull (IIHF) duhet t'i lejojë Rusisë rikthimin e menjëhershëm në garat ndërkombëtare.
Hietanen theksoi se Finlanda ka kërkuar të krijojë qëndrim të përbashkët me vendet e tjera nordike dhe kombet kryesore të hokejit në Evropën Qendrore, me synimin për të bindur sa më shumë shtete që t'i bashkohen këtij qëndrimi.
"Sigurisht, do të jetë e pamundur të organizohen ndeshjet nëse një numër kaq i madh vendesh i bojkotojnë ato duke refuzuar të luajnë kundër Rusisë", tha ai. Hietanen nuk i përmendi vendet e përfshira, duke shpjeguar se shoqatat e tyre të hokejit janë ende duke e diskutuar çështjen brenda radhëve të tyre dhe se do t'i bëjnë të ditura qëndrimet e tyre në mënyrë të pavarur.
Ministri finlandez i Sportit, Mika Poutala e përshëndeti qëndrimin e vendit të tij, duke shprehur besimin se Rusia nuk do të marrë pjesë në kampionatin botëror që do të mbahet në Gjermani pranverën e ardhshme.
Anëtarja e Bordit Ekzekutiv të Komiteteve Olimpike Evropiane (EOC), Emma Terho, e cila u shfaq krah Poutalës në programin "A-Studio" të transmetuesit finlandez "Yle" e cilësoi qëndrimin finlandez si të palëkundur dhe u bëri thirrje vendeve të tjera t'i bashkohen kësaj nisme.
Pas vendimit të CAS-it, Hietanen fillimisht tha se vendimi dukej i pakuptueshëm, por shtoi se Finlanda nuk do ta bojkotojë kampionatin botëror dhe do t'u bindet vendimeve të gjykatës ndërkombëtare të sportit dhe IIHF-së.
Sipas gazetës finlandeze "Ilta-Sanomat", komentet fillestare të Hietanenit shkaktuan shqetësim brenda Federatës Finlandeze të Hokejit mbi Akull, pasi bordi i saj nuk kishte vendosur ende se si do të reagonte Finlanda nëse Rusisë do t'i lejohej të merrte pjesë në garë.























