Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Në fjalën e tij, gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, njoftoi se shkalla e dënimit do të shpallet në seancën e datës 8 shtator 2026.
Në seancën e 8 shtatorit do të mbahet seanca ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Sveçla, i cili mungoi në seancë, u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërkaq, gjykata mori aktgjykim refuzues për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën ka arritur parashikimi i ndjekjes penale.
Gjatë procesit, Prokuroria ka renditur prova që sipas saj dëshmojnë kryerjen e veprës penale nga Sveçla. Në një incizim shihet kur Sveçla e aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Për shpalljen fajtor të Sveçlës por mosshpalljen e vendimit për të, avokati i Xhelal Sveçlës, Laur Prenaj, tha se kjo është një gjë e pazakontë, por duhet pritur vendimi përfundimtar e më pas të parashtrojnë ankesë.
"Gjykata e shpalli vendimin e saj, por ishte një vendim në gjysmë, kështu që neve na duhet ta presim vendimin e arsyetuar që të japim komente më tutje", tha Prenaj.
Deputetët e Vetëvendosjes dhe të opozitës së asaj kohe hidhnin gazlotsjellës në Kuvend duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Për veprën e përdorimit të armëve apo materieve plasëse në kundërshtim me ligjin, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.





















