| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Nufi: Ushtria shqiptare po transformohet dhe ka ndërmarrë një proces modernizimi
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë është mbajtur edhe interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, mbi sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe shoqërinë shtetërore në sektorin e mbrojtjes KAYO.
Ministri Nufi: Ushtria shqiptare po transformohet dhe ka ndërmarrë një proces modernizimi
Ministri Nufi: Ushtria shqiptare po transformohet dhe ka ndërmarrë një proces modernizimi / TRT Balkan

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se ushtria shqiptare sot po transformohet dhe ka ndërmarrë një proces modernizimi. 

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë është mbajtur edhe interpelancë me ministrin Nufi, mbi sektorin e industrisë së mbrojtjes, shoqërinë shtetërore në sektorin e mbrojtjes KAYO dhe çështje të tjera në lidhje me mbrojtjen, e kërkuar nga një grup deputetësh të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ministri Nufi tha se KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por kryesisht qëllimi i saj sipas tij ka qenë me funksion që bashkëprodhon me kapitale me partnerë privatë dhe që njohin industrinë e mbrojtjes.

Ai shtoi se qëllimi i krijimit të kompanisë KAYO lidhet me angazhimin e Shqipërisë në NATO.

"Industria ushtarake nuk është një biznes i thjeshtë, përkundrazi është një nga fushat më të vështira ku një qeveri apo një grup biznesesh në Republikë mund të kryejë veprimtarinë për shkak se mbart një kontroll shumë të lartë dhe njëkohësisht mbart garanci të shtuara ligjore për sa kohë prodhimi i armëve, shitja tregtimi i armëve, tregtimi dhe blerja e pajisjeve rregullohet gjithmonë në marrëdhënien shtet me shtet", tha Nufi.

Nufi theksoi se prodhimi i dronëve luftarakë dhe dronëve të teknologjisë së fundit do të garantojnë që forcat ushtarake të kenë një armatim të fjalës së fundit.

"Shoqëria KAYO është një shoqëri e cila prodhon së pari siguri. Sot konflikti në Ukrainë apo konfliktet në Lindjen e Mesme tregojnë sesa të rëndësishme janë kapacitetet prodhuese në Republikë, sesa e rëndësishme është që sot të kesh linja prodhimi që garantojnë pasjen e municioneve, pasjen e armëve në dispozicion për strukturat e sigurisë në Shqipëri. Po flasim për një ushtri e cila sot po transformohet, ka ndërmarrë një proces modernizimi të nisur", u shpreh ndër të tjera Nufi.

Sipas shoqërisë, KAYO operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare.

Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan në Shqipëri.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë