Autoritetet tuniziane thanë të dielën se janë nxjerrë trupat e 11 emigrantëve të parregullt, pasi varka me të cilën udhëtonin u fundos në brigjet e qytetit Ben Gardane, në juglindje të vendit.
Houssem Eddine Jebabli, zëdhënës i Drejtorisë së Përgjithshme të Gardës Kombëtare, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TAP se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, pasi varka që transportonte 15 emigrantë tunizianë u përmbys.
Ai tha se tre trupa u nxorën të shtunën dhe tetë të tjerë të dielën, ndërsa përpjekjet për gjetjen e personave të tjerë të zhdukur po vazhdojnë.
“Njësi të ndryshme detare nga doganat detare, roja bregdetare, mbrojtja civile dhe marina po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, së bashku me dy helikopterë që i përkasin Gardës Kombëtare dhe ushtrisë”, shtoi Jebabli.
Tunizia është një pikë kryesore nisjeje për emigrantët e parregullt që synojnë të kalojnë Detin Mesdhe drejt Evropës.
Megjithatë, përpjekjet për migrim kanë rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, pasi autoritetet tuniziane kanë intensifikuar masat kundër migrimit dhe kanë forcuar kontrollet kufitare detare.




















