| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
U.d. Presidentja Haxhiu viziton vendin e varrit masiv në veri: Të ruhet integriteti i hetimeve
“Ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë Haxhiu.
U.d. Presidentja Haxhiu viziton vendin e varrit masiv në veri: Të ruhet integriteti i hetimeve
U.d. Presidentja Haxhiu viziton vendin e varrit masiv në veri: Të ruhet integriteti i hetimeve

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin ku institucionet përkatëse po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.

Pas vizitës, Haxhiu nëpërmjet një deklarimi për media tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha se institucionet, por edhe mediat, duhet ta ruajnë integritetin e hetimeve sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe duhet të kihen në konsideratë familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, shtoi Haxhiu.

Gjatë kësaj jave u konfirmua se në Kalludër të Zubin Potokut ndodhet një varr masiv, në të cilin dyshohet se mbetjet mortore aty mund t’i përkasin personave të luftës së fundit në Kosovë, 1998-99.

Në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë mbështetje të sigurisë gjatë zhvillimit të ekzaminimeve.

Lidhur me varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut, dy persona me inicialet M.J. dhe M.B. janë arrestuar nga Policia e Kosovës më 28 korrik.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë