| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Pashinyan: Baza ushtarake ruse nuk është “domosdoshmëri jetike”
Kryeministri armen gjithashtu tha se transferimi te një vend i tretë i të drejtave të Rusisë sipas marrëveshjes së koncesionit për hekurudhat e Armenisë do të ishte alternativa më e mirë për Jerevanin.
Pashinyan: Baza ushtarake ruse nuk është “domosdoshmëri jetike”
Pashinyan: Baza ushtarake ruse nuk është “domosdoshmëri jetike”

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka deklaruar se vendi i tij nuk e konsideron praninë e Bazës së 102-të Ushtarake të Rusisë si domosdoshmëri jetike dhe nuk do ta kundërshtonte nëse Moska vendos ta tërheq atë nga vendi.

Duke folur në një konferencë për media në Jerevan për rezultatet e takimit të tij të fundit në Bishkek me presidentin rus, Vlladimir Putin, kryeministri armen gjithashtu tha se transferimi te një vend i tretë i të drejtave të Rusisë sipas marrëveshjes së koncesionit për hekurudhat e Armenisë do të ishte alternativa më e mirë për Jerevanin.

“Ne nuk e kemi ngritur as edhe një herë çështjen e bazës ushtarake ruse gjatë kësaj periudhe dhe nuk është se e konsiderojmë praninë e Bazës së 102-të Ushtarake Ruse në territorin e Armenisë si një domosdoshmëri jetike”, tha ai.

E ardhmja e infrastrukturës hekurudhore të Armenisë ishte ndër çështjet e diskutuara nga Putin dhe Pashinyan gjatë takimit të tyre në Bishkek të martën.

Pas takimit, Putin tha se investimet në hekurudhë do të varen nga vëllimi i transportit të mallrave, duke theksuar se hapja e linjave shtesë mund të krijojë flukse të reja mallrash dhe t’i bëjë investimet e mëtejshme ekonomikisht të leverdishme.

Putin gjithashtu tha se prania e bazës ushtarake ruse, në fund të fundit, është një vendim sovran i Armenisë.

“Nëse Armenia mendon se baza ushtarake ruse nuk është e nevojshme, ne do të largohemi që nesër. Nuk do t’i imponojmë asgjë askujt”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Putin tha se Rusia do të qëndronte nëse popullsia e Armenisë dëshiron praninë ushtarake ruse dhe është e gatshme të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin me Moskën.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë