Ish-kreu i Drejtorisë së Inteligjencës së Ushtrisë Izraelite (AMAN), Tamir Hayman deklaroi se një plan i ShBA-së dhe Izraelit për të nxitur grupe të caktuara, përfshirë ato të lidhura me organizatën terroriste PKK-ja, për të sulmuar Iranin u pengua falë bindjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan ndaj presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Në një intervistë për PBS, një rrjet televiziv me seli në ShBA, gjeneral majori në pension Hayman tha se brenda kuadrit të sulmeve të nisura nga ShBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat rezultuan në një armëpushim të përkohshëm, ata u përpoqën të zbatonin një sërë planesh të fshehta për të rrëzuar qeverinë e Teheranit, përfshirë nxitjen e sulmeve nga grupe të lidhura me organizatën terroriste PKK-ja dhe rikthimin në pushtet të ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.
Hayman tha se lajmi i "New York Times" i 20 majit, i cili pretendonte se ShBA-ja dhe Izraeli planifikuan të rrëzonin regjimin aktual iranian dhe të kthenin Ahmadinejadin, ishte i saktë.
"Lidhur me Ahmadinejadin, ishte planifikuar një seri shumë unike operacionesh speciale dhe Ahmadinejadi ishte pjesë e asaj serie. Përveç operacionit kurd, pjesa tjetër e operacioneve nuk u zbulua plotësisht për publikun. Sepse ishte parashikuar që i gjithë ky zinxhir operacionesh të fillonte me operacionin kurd", thuhet më tej.
Hayman thekson se presidenti Erdoğan e bindi presidentin amerikan Trump të anulonte planin, të cilin ShBA-ja dhe Izraeli po përpiqeshin ta zbatonin kundër Iranit përmes grupeve të armatosura me bazë etnike.
"Vendimi për të sulmuar Iranin ishte surprizë për Izraelin"
Hayman argumentoi se pretendimet në sferën publike se "Izraeli e bindi Trumpin të sulmonte Iranin" nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Heyman thotë se Trump e ndërmori këtë hap për shkak të një ndjenje suksesi në lidhje me ndërhyrjen amerikane ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
"Procesi në Venezuelë e shtyu Trumpin të bënte një postim në rrjetet sociale duke thënë 'ndihma është në rrugë' për protestuesit anti-regjim. Kjo ishte një surprizë e madhe për izraelitët. Izraeli u kap në befasi kur Trumpi tha se 'ndihma është në rrugë' dhe vendosi të sulmonte Iranin. Kjo ndodhi në fillim të janarit".
Duke pretenduar se Izraeli nuk kishte plan sulmi ushtarak në atë kohë, Hayman tha: "Trump u shfaq papritur, duke i habitur izraelitët dhe tha se do të godiste Iranin. Ky veprim ndryshoi situatën. Pas deklaratës së Trumpit, planifikimi i Izraelit dhe motivimi i ShBA-së u bashkuan. Procesi çoi në mobilizimin ushtarak më 28 shkurt".






















