| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Costa: BE-ja duhet të dakordësohet për buxhetin afatgjatë për ta shmangur ndërprerjen e financimit
Presidenti i Këshillit Evropian i përshkroi negociatat për buxhetin e bllokut për periudhën 2028-2034 si një “sfidë vendimtare” për këtë vjeshtë.
Costa: BE-ja duhet të dakordësohet për buxhetin afatgjatë për ta shmangur ndërprerjen e financimit
Costa: BE-ja duhet të dakordësohet për buxhetin afatgjatë për ta shmangur ndërprerjen e financimit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) duhet të arrijë marrëveshje për buxhetin e ardhshëm afatgjatë deri në fund të këtij viti për të parandaluar ndërprerjet e financimit në vitin 2028.

Duke folur në Vilnius pas takimit me presidentin lituanez, Gitanas Nauseda, Costa i përshkroi negociatat për buxhetin e bllokut për periudhën 2028-2034 si një “sfidë vendimtare” për këtë vjeshtë.

“Për të siguruar që në vitin 2028 të mos ketë ndërprerje të financimit të BE-së për fermerët, bizneset tona, studentët tanë dhe përfituesit e tjerë, duhet të arrijmë një marrëveshje deri në fund të këtij viti”, tha ai.

Costa tha se buxheti duhet të ketë në qendër konkurrueshmërinë, transformimin industrial, mbrojtjen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë strategjike, duke vazhduar njëkohësisht ta mbështesë politikën e kohezionit dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore.

“Balancimi i prioriteteve tradicionale me sfidat e reja do të kërkojë një strukturë dukshëm të ndryshme buxhetore”, tha ai, duke shtuar se burimet e reja të të ardhurave të BE-së do të jenë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme.

Costa vizitoi Lituaninë në ditën e dytë të një turneu 4-javor në kryeqytetet e BE-së, që synon konsultimet me udhëheqësit kombëtarë përpara takimeve të Këshillit Evropian dhe vlerësimin e gatishmërisë së tyre për kompromis lidhur me buxhetin.

Dy udhëheqësit gjithashtu diskutuan për Ukrainën, zgjerimin e BE-së, kërcënimet në krahun lindor të Evropës dhe përgatitjet e Lituanisë për të marrë presidencën e radhës të Këshillit të BE-së në janar të vitit 2027.

Costa vlerësoi mbështetjen ushtarake të Lituanisë për Kievin dhe tha se BE-ja do të vazhdojë ta shtojë presionin ndaj Moskës derisa Rusia të hyjë në negociata “me mirëbesim”.

Ai gjithashtu i cilësoi proceset e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor si “investimin më të mirë” që Evropa mund të bëjë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e ardhshëm të kontinentit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë